Nga Lutfi Dervishi
Sot në rrugë të Tiranës malli më i dukshëm në fytyrat e kujtdo, më i kërkuari në treg dhe më i pakontrolluari është maska!
Dikush e mban të varur në qafë si qafore, dikush mbulon vetëm gojën, dikush tjetër vetëm hundën dikush e trajton si kapele që e heq dhe e vë sa herë t’i teket. Në markete (në bankaë po e po) nuk të qasin nëse nuk mban një maskë në fytyrë.
Në fillim këshilla nga ekspertët dhe autoritetet që i referoheshin ekspertëve ishte shumë e qartë: maskë nuk ka pse përdor. Maskat duhen për personalin mjekësor. Ti e mban maskën, por jo për të mbrojtur veten, por mbron tjetrin.
Edhe vetë OBSH ende mbështet këtë qëndrim.
Por njëri- pas tjetrit vende të ndryshme në kontinente të ndryshme po sugjerojnë që ndoshta nuk është keq të përdorësh maskë
Edhe në Shqipëri këshilla e ekspertëve ka kaluar në fazën e dytë: nga përdorimi i personelit mjekësor te këshilla që kur del në publik mirë është të mbash një maskë.
Tani vijmë te maskat!
Maskat sot i gjen në markete, në farmaci, dhe sidomos on line. çmimet variojnë nga 100 lekë deri në 7000 lekë copa. Maska një përdorimshe dhe maska shumë përdorimshe.
Shqetësues është fakti se këshillat e përdorimit janë të qarta, (për maskat shumë përdorimshe), por ti thjesht nuk e di kush i ka dhënë këto këshilla.
1. Larje në lavatrice me 90 gradë
2. Dezinfektim me alkool etilik
3. hekur i nxehtë.
Maskat befas janë kthyer në mall të kërkuar, por është dhe malli më i pakontrolluar. Padyshim se është biznesi më i mirë për momentin, por ngre pikëpyetje çfarë ndikimi ka ky biznes në shëndetin e përdoruesit?
Kush jep garanci për përdorimin e maskave që shiten? Kush i ka prodhuar?
Mbi të gjitha si duhet përdorur maska? Të gjithë u mësuam edhe falë njoftimeve të përsëritura për rëndësinë e larjes së duarve me sapun, për kollitijen/teshtimën, për distancën që duhet të mbajmë, për rëndësinë që ka mos dhënia e dorës apo përqafimi.
Sheh njerëz që e kapin maskën me dorë dhe e heqin kur flasin, të tjerë që e nxjerrin dhe e fusin në xhep si të jetë shami hundësh, dhe të tjerë që kanë shumë merak anën estetike që maska të shkojë me ngjyrën e këmishës apo xhaketës.
Ka ardhur koha që ekspertët që kanë rënë dakord për shumë gjëra me njëri-tjetrin në parandalimin e përhapjes së covid19, të debatojnë hapur për dobinë/dëmin e mbajtjes së maskave.
P.S. Maksat ndoshta është mirë të mbahen (në Tiranë) sapo 200 mijë makinat që janë të parkuara të ndizen dhe të qarkullojnë në rrugë. është e vetmja mënyrë për të mbrojtur mushkritë. Sot për sot ajri Tiranës është po aq i pastër sa në Pogradec.