“Liberalët anglezë në vitet ‘800 e refuzonin karantinën në emër të tregut të lirë, madje e quanin shpikje të katolikëve, thotë Ardian Ndreca (për ironi ka nga ata që e refuzojnë edhe në Shqipëri, duke e quajtur shpikje të Edi Ramës). Profesori në Universitetin Urbaniana në Romë, në këtë intervistë për Politiko.al, ku me dije e ku me ironi (dije e qepur hollë) vazhdon të tregojë, jo vetëm për ditët e tij në karantinë, leximet, por edhe për botën dhe si do të ndryshojë ajo pas Covid-19. “Bota ka ndryshue qysh tashti, problemi asht nëse do të ndërrojmë drejtim”, thotë ai duke identifikuar kështu problemin e kujtesës. Me çfarë kujtese do të dalim nga kjo epidemi dhe si do ta përdorim, duket sikur thotë.
Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?
Besoj se përpara kur kujtoja skajin karantinë me vinte ndër mend kryekreje kryevepra e Alessandro Manzoni, Të fejuemit, por edhe ndonji dokument i shek. XVII për lëvizjet e udhëtarëve në Adriatik. Asokohe portet si Ankona, Raguza, Venediku, aplikonin karantinën për anijet e hueja, madje edhe korrespondenca trajtohej me avuj apo me tym magnezit, squfurit. Do të më kishte ardhë ndër mend edhe ndonji studim tjetër, mbasi vitet e fundit jam marrë me çështjen e hapsinës urbane dhe jam ndeshë edhe me raportet e saja me epidemitë, kuptohet në kandvështrimin filozofik. Ka nji lidhje të përhershme mes epidemive dhe qytetit. Sëmundjet epidemike kanë nevojë për me u përhapë për nji numër minimal njerzish që zakonisht përkon me banorët e nji qyteti të mesëm, e njejta logjikë vlen edhe për efikasitetin e vaksinimin kundër tyne, për shembull kundër lisë, fruthit.
Asht interesant fakti se në ‘800 për shembull liberalët anglez e refuzonin idenë e karantinës në emën të tregut të lirë dhe e konsideronte atë si nji shpikje të katolikëve. Edhe sundimtarët e qyteteve-porte që ndodheshin nën Perandorinë osmane talleshin fillimisht me idenë e karantinës, por me kalimin e kohës gjanat ndryshojnë aq sa në vitin 1900 në Egjipt nuk mund të përshkohej kurrkush pa hy në karantinë të detyrueshme. Karantina e institucionalizueme njihet që në shekullin e XIV në qytet-shtetet europiane, por ajo ka lindë thjesht për faktin se pushtetarët asokohe kishin krijue idenë se me ba diçka kundër epidemive asht shumë ma mirë sesa mos me veprue aspak. Në të vërtetë deri me zbulimin e teorisë bakterike me Koch e Pasteur askush nuk dinte se çka janë agjentat patogjenë, mjeksia kishte mbetë tek Hipokrati dhe Galeni, për shembull nuk njihej roli themelor i pleshtave në përhapjen e murtajës etj.
Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?
Më ka kufizue siç ka kufizue të gjithë por s’mund të them se të paktën deri tashti të më ketë lodhë. Leksionet i kemi zhvendosë menjiherë në rrjet dhe i zhvillojmë në mënyrë telematike, kam shumë ma tepër kohë për me studjue, praktikisht gjithë ditën. Sa për pluset e karantinës, pra të mirat indirekte të gjendjes që asht krijue, ka vend me folë shumë. Filozofi Blaise Pascal thotë se njeriut të këqijat i vijnë pse s’mbërrin me ndejtë në dhomën e vet. Sigurisht që s’e ka me atë ndamjen hapsinore të shtëpisë, por me vetveten. Njerzve i peshon ma së shumti pse s’janë gjendje me ndejt me vetveten. Përfytyroni me hy në nji shtëpi pa asnji orendi ose me orendi të kota. Kur shkon puna me hy në karantinë asht tepër vonë me improvizue ndonji “orendi” të çastit, duhet me mendue me kohë. Nga ana tjetër asnji gja e keqe nuk ka anë pozitive që verifikohen në mënyrë automatike, pse s’do të ishte nji e keqe, anët e mira duhet t’ia nxjerrim ne. Të këqijat na lejojnë nganjiherë me zbulue disa të mira që përndryshe nuk do t’i kishim vërejt lehtë. Mendoni shëndetin apo vetë jetën, vlerën që marrin kur i ke shpëtue nji aksidenti të randë apo nji sëmundje serioze! Por nuk ka automatizma, asht si ajo metafora e orendive, njeriu ka lirinë dhe arsyen dhe në fakt do të duhej të përkonin!
Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?
Bota ka ndryshue qysh tashti, problemi asht nëse do të ndërrojmë drejtim. Besoj se do të ndryshojë harta gjeostrategjike, ajo ekonomike dhe financiare. Europa e Bashkueme asht subjekti ma i rrezikuem prej kësaj gjendje. Asht ajo që rrezikon ma shumë nëse nuk do të merren masa e s’do bahen urgjentisht reforma të thella. Kështu siç asht nuk funksionon dhe un jam europeist i bindun. Nuk i besoj tezave komplotiste, pse shkaqet e asaj që ka ndodhë kanë qenë nën sytë e gjithëve qysh përpara, tjetër punë se qeveritarët preferojnë me u mshehë si struci.
Viruset janë ato që tmerrojnë ma shumë dhe janë fryt i zoonozave, kalimit prej kafshëve, zakonisht prej gjitarëve tek njeriu. Pse ndodhë nji gja e tillë? Arsyeja asht pse njerzit marrin sharrat elektrike, traktorat dhe shkatrrojnë habitatin e viruseve tue nisë prej pyjeve tropikale afrikane deri në Amazoni, pa harrue përdorimin e ushqimeve të ashtuquejtuna “kulturale”, siç asht lakuriqi i natës në Kinë.
Kjo s’do të thotë që nuk ndodhin edhe thjesht për faktin se ne bashkëjetojmë me nji numër të pafund agjentash patogjenë, baktere apo viruse qofshin. Po të mendojmë për epidemitë antike si ajo që përshkruen Tukididi, apo atë të vitit 165 m.Kr. në Perandorinë romake apo atë të kohës së perandorit Justinian, kjo e sotmja ka nji vdekshmëri të kufizueme, por përhapet shumë lehtë. Dihet se karvanet ecin shumë ma ngadalë se avionat, prandaj duhen masat parandaluese dhe sensibilizimi i njerzve. Të dyja këto kanë mungue pothuejse krejt. Fati i keq asht se vatrat e njohtuna të epidemive ndodhen në vende që o kanë probleme me demokracinë dhe me transparencën e informacionit ose kanë probleme stabiliteti politik, e kam fjalën për Kinën por edhe për vende të Afrikës Qëndrore. E shihni pra sesi epidemitë lidhen me demokracinë, me jetën urbane, me ndjeshmëninë civile!
Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?
Më ban përshtypje të madhe puna e personelit shëndetësor, kam miq që punojnë në kushte të tmerrshme tash ma se nji muej, gjithashtu forcat e rendit, punëtorët e sektorëve esencial, me nji fjalë ata që na mbajnë gjallë. Më ban pesimist injoranca e atyne që nuk kanë respektue qysh në fillim karantinën. Tek ne poshtërsia shkoi deri aty sa me e politizue karantinën dhe me e kthye në objekt përplasjet mes shqiptarëve. Fatura e nji katastrofe të mundshme dihet se kujt i takon, atyne që e kanë nënvleftësue, e kanë kundërshtue e deri edhe i kanë frymzue ndjekësit e tyne me e thye karantinën. Kryeministri i sotëm asht i mërzitshëm, veleitar, madje qesharak kur ban të gjithëdijtunin, por tek karantina ka të drejtë – e jo pse asht epidemiolog, por thjeshtë pse ka ndjekë linjën e WHO-së. Atë linjë do të ishte dashtë me ndjekë e gjithë klasa politike, por kjo gja s’ka ndodhë.
Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?
Un zgjohem rreth orës 6,30 dhe në 7,30 nisi punën, leksione online dhe studim, nji libër që sapo kam nisë, para mesditës merrem me vajzën tue luejtë me të, ndihmoj bashkëshorten, mbasdreke pak pushim dhe mbasdite zakonisht vijoj deri nga ora 18 punën, në darkë ndonji telefonatë, ndajmë kohën në familje dhe në fund televizor. Shmangu të gjitha programet ku ftohen analista, udhëtarë, berberë, shkrimtarë, politikanë për me folë për virusin dhe të ardhmen e botës. Zakonisht shoh ndonji komedi ose dokumentarë. Dita asht e thjeshtë, esenciale por deri tashti ka qenë e frytshme.
Filma, libra? S’di se çka me sugjerue për karantinën pse ju keni sugjerues të pafund që ju engledisin prej mëngjesit në darkë, s’po due me i hy në profesion.
Kohët e fundit kam rilexue Axel Munthe, Historia e shën Mikelit, por s’asht i përkthyem shqip. Asht historia e nji mjeku suedez që përshkruen edhe eksperiencën e tij të epidemive në shek. XIX në Itali. Si film kam pa para pak ditësh “Le Brio” me Daniel Auteuil, asht nji prej atyne filmave që të zbavitë tue të mësue, ndoshta janë gjana që i dijmë por jo aq sa duhet!(Politiko.al)
ok… but who the fuck are you? Pervecse Ardian Ndreca, ke ndonje kualifikim? Pse nuk shkruhet ne artikull apo supozohet te jete si Shakira qe e dine te gjithe kush eshte?