Për shkak të pandemisë së koronavirusit, po shënohet një mungesë globale prezervativësh, si pasojë e mbylljes së fabrikave prodhuese.
Është ky alarmi i dhënë nga prodhuesi kryesor botëror i kontraceptivëve, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara flet për pasoja “shkatërruese”, sidomos për mungesën e furnizmiit në vendet në zhvillim.
Thuajse gjysma e popullsisë botërore është izoluar në shtëpitë e tyre dhe aktivitetet e cilësuara si jo të domosdoshme janë mbyllur në shumë shtete.
Në Malajzi, një prej prodhuesve kryesorë të prezervativëve, izolimi është në fuqi qysh prej 18 marsit.
Por masat kufizuese kanë bërë që të mbyllet kompania Karex, e cila prodhon një prezervativ në 5 në nivel global, të prodhojë 200 milionë prezervativë më pak, nga mesi i muajit mars deri në mesin e muajit prill.
Drejtori ekzekutiv i Karex, Goh Miah Kiat thotë se “Bota do të përballet padiskutim me një mungesë prezervativësh. Edhe teksa luftojmë Covid-19, ka edhe gjëra të tjera që duhet të mbajmë parasysh”.
Nga ana tjetër, kompania e dytë prodhuese për prezervativët, Durex, i garanton klientët për gjendje të bollshme të produktit të saj.