“Pas pak do të më intubojnë. Rri e qetë. Nuk do të të lë vetëm. Të dua mami. Do të luftoj për ty dhe për Anën. Duhet të shkoj…”
Me këtë mesazh iu drejtua nënës së tij, Matia 18 vjeçar i diagnostikuar me koronavirus në gradë serioze. Adoleshenti u shtrua në spital në fund të marsit, por pak ditë më vonë, në fillim të prillit, gjendja e tij u përkeqësua aq sa mjekët urdhëruan të futej në terapi intensive me frymëmarrje të drejtuar pasi mushkëritë e tij ishin pushtuar nga virusi duke ia pamundësuar një frymëmarrje normale pa respirator.
Sot, dy javë më pas, Matia ia doli. Ai është shëruar. Doli nga reanimacioni nën duartrokitjet e bluzave të bardha të spitalit në Cremona të Italisë, raporton noa.al.
Dy javë pasi kishte dhënë atë mesazh shprese për nënën, Matia rrëfehet për atë që kaloi: “Kisha frikë. Isha realisht i frikësuar. Dhe nuk e mendoja kurrë se do të përfundoja në atë gjendje që kalova. Kur u zgjova dhe u kthjellova kuptova se kisha arritur të fitoja ndaj koronës, por do të më duhet të luftoj edhe pak akoma”.
Sot, Matia doli i shëruar nga spitali. Mjekët thanë se tamponët i dolën dy herë negativë pas daljes nga terapia intensive dhe ai tani mund të rifillojë jetën e tij.