8 muaj pas shpalljes në kërkim nga Policia e Tiranës si një nga anëtarët kyçë të skuadrës që akuzohet se ekzekutoi mbrëmjen e 27 gushtit ish-policin Santiago Malko, arrestohet në zonën e Xhamllikut, Ilir Selmani. Ai është prangosur nga njësia e Shqiponjave bashkë me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në këtë zonë, në një banesë ku jetonte atje bashkë me persona të tjerë.
I veshur me të kuqe, Selmani është parë nga dëshmitarët teksa hyn në furgonin e Policisë i prangosur. I njohur si “boksieri”, Selmani akuzohet se është një nga personat kyç që mund të zbardhë këtë vrasje dhe ekzekutimin e Malkos.
Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Selmani, ka kthyer makinën në momentin që e ka udhëzuar Leonard Duka. Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre, Malkon.
Ilir Selmani, anetar i Klanit Duka
Ata janë kthyer dhe janë ndaluar pikërisht në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko.
Ndërkohë që në disa pamje të dala në media, Ilir Selmani shfaqet teksa mbledh bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, njeriu që mendohet se survejoi lëvizjet e ish-policit Santiago Malko. Selmani mbledh bishtat duke i hedhur në një kazan mbeturinash për të zhdukur çfarëdolloj prove që mund të ishte e rrezikshme dhe të identifikonte grupin.
Selmani, mund të quhet hallka e këputur e zinxhirit të klanit Duka. Është i vetmi që ka një profil aktiv në rrjetet sociale, ku ka reklamuar gjithë aktivitetin e tij ndër vite. Që nga armët, tek pijet e shtrenjta, dhe makinat e luksit, Selmani i ka të gjitha publike./ dosja.al
g.kosovari