Si pasojë e masave të aktit normativ për koronavirusin në të gjithë vendin në 24 orët e fundit janë bllokuar 217 patenta, pasi shoferët kanë lëvizur në kundërshtim me rregullat, pa ndonjë arsye. Sakaq janë gjobitur me masën administrative 10 mijë lek gjobë 593 shtetas, të cilët nuk kishin një arsye për të dalë nga shtëpia.
Në Dibër dy persona me inicialet M. M. dhe D. D, janë arrestuar pasi përveçse lëviznin në orarin jo të lejuar kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë. Sakaq 11 lokale janë konstatuar të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative me gjobë.
Në Tiranë janë arrestuar dy shtetas të cilët drejtonin mjetin në gjendje të dehur, njëri prej tyre nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi E. F., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, në gjendje të dehur në masën 0.53 mg/l dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. B., banues në Durrës, pasi duke drejtuar mjetin, nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.
Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.89 mg/l.
Në Vlorë është proceduar penalisht për fshehje të ardhurash, shtetasi B. H., banues në Dhërmi, Himarë, sepse, pas kontrollit të ushtruar në ninimarketin që ai administronte, u konstatua mungesë dokumentacioni dhe moslëshim i kuponit tatimor.
g.kosovari