Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot nën masa ekstreme, jo policore sic ishim mësuar në kohën e protestave opozitare, por masa që kanë të bëjnë me distancimin social, në kuadër të COVID 19. Deputetët mbajnë maska e doreza mbrojtëse si dhe janë pozicionuar 1.5 metra larg njëri-tjetrit në sallë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi vlerësoi masat e marra, ndërsa shtoi se Shqipëria ka shanse të dalë e sigurt nga kjo pandemi.
“Shanset janë që të dalim nga kjo pandemi si një nga vendet më të sigurta në planet, mund të tërheqim kështu më shumë investime”,- tha ai.
Opozitari Myslim Murrizi u shpreh në sallë se opozita ka shumë pak kohë për të folur. Ai tha se me këtë mënyrë Kuvendi po kthehet si në kohën e Haxhi Lleshit ku deputetët vinin në sallë vetëm për të duartrokitur.
“Rendi i ditës duhet shpallur 48 orë nga data e Kuvendit, na e keni njoftuar dje në orën 13:00. Nuk e di pse e keni me kaq ngut këtë kod? Unë kam vërejtje për nenin 48, pika 3, e rregullores ku thoni do ketë limit kohor për të folur, po si mund të shqyrtohen 23 pika këtu dhe të ketë kaq pak kohë për të folur. Ke 9 deputetë këtu që flasin në emër të opzitës dhe votojnë non stop për Taulantin. Nëse vazhdohet me këtë mënyrë ky parlament i ngjan atij të Haxhi Lleshit në vitet ’80 ku deputetët vinin vetëm për të duartrokitur”,- tha Murrizi.
Në përgjigje, kryeparlamentari u shpreh se axhendën e këtij Kuvendi e përcakton sot gjendja e jashtëzakonshme.
“Rregullorja është zbatuar zoti Murrizi, sa për ndryshimet në kod janë shqyrtuar nga komisioni i ligjeve, nisma është ndërmarrë këtu e 3 muaj më parë. Duhet të keni parasysh se cdo parlament ashtu si ne ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Në një situatë tjetër normale do i mbështesja propozimet tuaja”, tha ai.