Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar për rënie të prodhimit këtë vit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Kjo do të jetë më e rënda që nga “Depresioni i Madh” i viteve ’30.
Në parashikimet gjashtëmujore, FMN tha se “Bllokimi i Madh” nga pandemia e Covid-19 do të shkaktonte një rënie dramatike të aktivitetit. Përhapja e papritur e koronavirusit dhe tronditja që i solli shteteve në mbarë botën do të hedhë poshtë vlerësimin me 3.3% rritje globale gjatë këtij viti, të bërë tre muaj më parë nga FMN.
Këto shifra do të zëvendësohen me një rënie prej 3%. Në rastin më të keq, mendohet që ekonomia globale të përballet me një rënie prej 11%.
Humbjet më të mëdha në prodhim tani janë shënuar për vitin 2020, të përqendruara në ekonomitë e pasura të perëndimit, të cilat parashikohet të zvogëlohen mesatarisht me 6.1%.
Italia dhe Spanja, dy vendet më të goditura në Europë, do të pësojnë rënie të PBB-së përkatësisht me 9.1% dhe 8%, tha FMN.
Parashikimet janë të pasigurta dhe ekziston rreziku se kostoja ekonomike e pandemisë do të jetë më e keqe se sa është aktualisht. Rimëkëmbja ekonomike mbështetet në masat stimuluese që janë efektive në parandalimin e falimentimeve të bizneseve dhe kufizimin e humbjeve të vendeve të punës.
/a.r