Vajzat e mjegullës”, romani më i ri i shkrimtarit (dhe politikanit) Namik Dokle. Duke vënë në qendër të librit një fëmijë, ai zbërthen dhe jep një panoramë të jetës në komunizëm: varfëria, skamja, ideologjia, spiunët, parullat, dënimet e jo vetëm.
Një pjesë e mirë e librit, bazohet në kujtimet e tij të hershme në Gorë të Kukësit, duke riprodhuar edhe copëza ditari të të ungjit, e mandej, epokën ku shqiptarët dënoheshin dhe jetonin me racion. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai flet për romanin, spiunët që ka njohur dhe viktimat e ditëve tona.
– Ju keni përdorur në romanin tuaj disa fjalë që nuk janë në përdorimin e përditshëm?
Janë të së folmes së veriut, që janë përdorur nga Martin Camaj, Gjergj Fishta, Anton Çeta, Ibrahim Rugova etj. Është bërë një punë e madhe nga gazetari e shkrimtari Mehmet Elezi, i cili ka botuar një fjalor me 41 mijë fjalë që nuk janë të përfshira në “Fjalorin e Gjuhës Shqipe”. E mira e tij është se ka edhe përdorimin, në të ka të folmen e veriut, ka shpjegimin e fjalës dhe frazeologji. Shumë prej fjalëve janë marrë nga këngët popullore. Jam nisur nga një këshillë e Gabriel Garcia Markesit, i cili thoshte se në tavolinën e tij të punës, mbante dy fjalorë: Fjalorin e Akademisë Spanjolle dhe fjalorin e një gruaje që kishte qëmtuar Amerikën Latine dhe Spanjën për të folmet e veçanta, e kishte gjetur fjalë që meritojnë të futen në gjuhën e shkruar. Pardje pasdite i bëra një vizitë Dritëro Agollit dhe mbi tavolinën e tij kishte dy fjalorë. Kur i thashë pse i do, më tha: “I shfletoj gjithmonë, sepse janë pasuri e madhe”.
– “Vajzat e mjegullës” ngjan si një roman për fëmijërinë tuaj. A ka kujtime brenda tij?
Ka elementë, por romani nuk është autobiografik; jo aq nga jeta ime, por e njerëzve që unë kam njohur në fëmijërinë time.
– Kush janë ata, mësuesi, xhaxhai?
Xhaxhai realisht është përshkruar me besnikëri në raport me jetën. Ai ka qenë një njeri që nuk ka pasur shkollë të madhe, por ka mbajtur ditar për ngjarjet e fshatit, për 20 vite me radhë, që nga 19491969. Atë e kam lexuar shumë herët. Kam shfrytëzuar pak faqe.
– Keni shfrytëzuar si u prit atje vdekja e Stalinit?
Po, vdekjen e Stalinit, ardhja e Enver Hoxhës në Kukës, vdekja e ushtarëve në kufi të ngrirë. Ndërsa mësuesi nuk është marrë nga jeta reale. Kam njohur në fëmijëri mësues që kanë pasur fatkeqësi në komunizëm, si Havzi Nelën për shembull, por nuk është ai në libër. Kam pasur parasysh një mësuesin tim nga Shkodra, i cili diku diku është në roman, ka elementë që i kam mësuar nga Visar Zhiti, dhe në laboratorin e shkrimtarit transformohen jeta e personazheve dhe historitë e tyre.
– Romani e sheh komunizmin nga sytë e një fëmije, i cili në një moment thotë se ‘komunizmi i lë njerëzit lakuriq’…
Jam munduar të jem i sinqertë në roman dhe të shkruaj për atë kohë dhe mënyrën si unë e kam jetuar. Unë e di që ajo ka ndodhur, na thuhej se komunizmi është barazi, por ishte barazi në varfëri e jo në mundësi. M’u kujtua që Alber Kamy, i cili thoshte se letërsia nuk duhet të merret me ata që bëjnë historinë, por me ata që janë viktima të historisë. Në roman ka shumë viktima, dhe unë përshkruaj krahinën e Gorës (Kukës me 29 fshatra), që është viktimë e politikave të kohës: e ndarë mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë.
– Pse është komunizmi si sfond i romanit tuaj?
Është një kohë që e kam përjetuar vetë. Këto mbresa më kanë mbetur. Njeriu ka ato fantazmat e veta, që do t’i nxjerrë përjashta, pra t’i thotë. Kam shkruar edhe vepra të tjera mbi komunizmin, si “Viti i qenit”, ku ngjarjet janë në një qytet studentësh. Këtu janë përjetimet e një fëmije që shumë gjëra i kupton e shumë gjëra nuk i kupton, disa ia sqarojnë e disa jo, dhe sillet çuditshëm para kësaj bote, duke qenë edhe vetë viktimë e asaj kohe. Ne jemi viktima të kohës që jetojmë. Romani nis para 57 vitesh. Viktima e kohës sonë, nga Gora është Bleona Mata, që nuk dihet ku është.
– Ju pasqyroni me ironi jetën e kohës: parullat, racionet, varfërinë, ideologjinë. Në fakt, çfarë ju bënte të vuanit atë kohë?
Jeta ka qenë e varfër, ndaj unë, duke dashur të dal nga kjo varfëri atykëtu në roman, jam përpjekur të përshkruaj edhe gëzimin e njerëzve në dasmë apo Shëngjergjin. Por, Shëngjergji në roman mbetet i pafestuar, sepse vajzat nuk vijnë.
– “Vajzat e mjegullës”, simbolizojnë të mirën që nuk vjen?
Po, siç ne në jetë presim shumë gjëra, i presim gjatë por nuk vijnë. Edhe kur vajzat vijnë, gjenden para një momenti tragjik.
– Ju thoni se goranët janë një popull i pretenduar nga katër kombe. Në fakt, çfarë është Gora?
Gjuha është gorançja, për të cilën dikush pretendon se është serbisht, dikush maqedonisht, dikush bullgarisht, apo boshnjake. Ajo ka disa tipare të veçanta dhe ka ngelur e pashkruar për vite të tëra, ndërsa tani ka edhe fjalor gorançeshqip me mbi 40 mijë fjalë. Është një zonë pak e studiuar, madje Mark Krasniqi më ka thënë se është ende në kufijtë e legjendës, e jo të historisë.
– Që është mjegulla?
Po. Natyrisht, unë nuk kam pretendim historik, por jap variantet e ndryshme mbi goranët. Vetë goranët dinë versione të ndryshme të prejardhjes së tyre. Por, si njerëz e kanë zemrën të butë si revania, janë njerëz të mirë.
– Ju flisni në roman edhe për spiunë të komunizmit. Njihni spiunë?
Situata e tyre është e njohur, aq sa kanë arritur në parlament. Ju e dini debatin për ta, që kanë arritur të vijnë në parlament, e që ndoshta ka akoma. Janë ata që quheshin 1200lekëshat, sepse kaq paguheshin. Populli i njihte dhe i quante 1200a. Unë kam njohur në parlament ndonjë nga këta, po jo në fshatin tim. Nga ditari i xhaxhait e kam ndjerë atmosferën që krijonin. Por kjo më duket se funksionon në çdo kohë, në një mënyrë a një tjetër.
– Si njeri i letërsisë, sa mund të ndihmoni në demaskimin e spiunëve të komunizmit?
Unë kam diskutuar në parlament për këtë çështje. Para vitit 2000 kam mbajtur një fjalë në parlament, ku kam përmendur disa pseudonime që i dija. Nga ato pseudonime, si ‘Kali i Shalës’ apo ‘Qukapiku’, nuk ka më në parlament. Mund të ketë të tjerë që unë nuk i di, por ata që unë dija nuk janë më, e ky është fat për
parlamentin. Unë jam për transparencë. Edhe ata mund të kenë qenë viktima të kohës, por, gjithsesi gjërat duhet të dalin në dritë e të njohim njëritjetrin.
– Thatë se çdo kohë ka viktimat e veta. Cilat janë viktimat e kohës sonë?
Viktimat e ditëve tona janë ata që nuk kanë mundësi të ndërtojnë një jetë normale, sepse sot Shqipëria ka një hendek të madh të atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë.
– Jemi kthyer në një Indi të vogël?
Absolutisht! Më kanë folur për një njeri që jeton në pyll, në Pukë, i vetmuar, sepse fshati është zbrazur tërësisht. Kur e kam dëgjuar këtë ngjarje nga një miku im, m’u kujtua romani im, ku personazhitfëmijë i dhimbset qeni i tij dhe ndërton një traketruke, ku duke rrjedhur uji, godet në një llamarinë për të trembur me zhurmë, kafshët e egra në atë kohë, pra para 57 vitesh. Kjo familje e Pukës, një burrë, një grua dhe një vajzë, që jetojnë vetëm në mes të pyllit, nga frika e ariut, kanë bërë një të tillë, që të trembin kafshët e egra. Ndërkohë që kemi familje në skamje të plotë, kemi edhe disa që janë pasuruar brenda natës, e janë bërë milionerë, me rrugë të paligjshme, banditizma.
– Dhe ka “Jaguarë” për ministrat?
Ajo është tjetër çështje. E kam fjalën për hendekun që krijon tragjiken në shoqërinë tonë, që reflektohet në lëvizjen e njerëzve që emigrojnë, për të gjetur një jetë më të mirë, siç e thotë një nga personazhet, që “për copën e bukës, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre”. Fshati im, për fat të mirë, nuk është braktisur.