Kryeministri britanik, Boris Johnson, pas daljes nga spitali, ku po trajtohej kundër koronavirusit, fjalët e para, ia ka dedikuar 2 infermierëve që sipas tij, i qëndruan pranë për 48 orë.
“Dua të falenderoj veçanërisht dy infermierë, të cilët qëndruan pranë shtratit tim për 48 orë, kur çdo gjë mund të ndodhte. Ata janë Xheni nga Zelanda e Re dhe Luis nga Portugalia. Arsyeja përse trupi im filloi të merrte mjaftueshëm oksigjen, ishte sepse për çdo sekondë, gjatë natës, ata po më vëzhgonin, po mendonin dhe po kujdeseshin, duke bërë ndërhyrjet e nevojshme. Kështu që unë e di, se në mbarë vendin, çdo sekondë të ditës, janë qindra mijëra punonjës së NHS-së, të cilët punojnë me të njëjtin përkushtim si Xheni dhe Luis. Kjo është arsyeja, përse ne do ta mundim koronavirusin dhe do mundim sëbashku. Ne do të fitojmë sepse, NHS-ja, është zemra e këtij shteti, gjëja më e mirë e këtij vendi, është e pamposhtëshme, sepse furnizohet nga dashuria. Ndaj, faleminderit nga unë, nga të gjithë ne“, tha ndër të tjera Johnson në mesazhin e tij.
Boris Johnson doli ditën e sotme nga spitali St Thomas’ në Londër, ku qëndroi një javë për të marrë trajtim, për simptomat e koronavirusit.
Gjendja shëndetësore e Johnson ishte kritike, veçanërisht për tre ditët kur ai qëndroi në terapi intensive.
/a.r