Media e njohur amerikane, Zëri i Amerikës, që financohet nga fondet publike, është kritikuar nga Shtëpia e Bardhë se po promovon propagandën e jashtme të Kinës në lidhje me pandeminë e koronavirusit.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, administrata e presidentit Donald Trump pretendoi se “Zëri i Amerikës” e përhapi mesazhin e Pekinit duke publikuar një video të festimeve për fundin e masave të koronavirusit në Wuhan dhe duke e vënë në pah faktin që Shtetet e Bashkuara e kanë tejkaluar Kinën referuar viktimave.
“Zëri i Amerikës shumë shpesh flet për armiqtë e Amerikës e jo qytetarët e saj.
Gazetarët duhet t’i raportojnë faktet, por në vend të kësaj, Zëri i Amerikës ka forcuar propagandën e Pekinit”, thuhet në deklaratë.
Drejtoresha e “Zërit të Amerikës”, Amanda Bennett, u kundërpërgjigj ndaj këtyre kritikave, duke thënë se media që ajo e drejton ka raportuar edhe për përpjekjet e Kinës për ta fshehur përhapjen e koronavirusit.
Në Shtetet e Bashkuara janë shënuar mbi 18 mijë viktima të koronavirusit, ndërsa në Kinë vetëm rreth 3 mijë, ndonëse dyshohet se kjo shifër mund të ketë qenë më e lartë.
g.kosovari