Orges Bilbili u arrestua ditën e djeshme për shkak të guximit të një efektivi të forcave “Shqiponja”, i cili fillimisht i kërkoi një dokument identifikimi dhe pasi u kërcënua me armë qëlloi duke e plagosur të shumë kërkuarin.
Gjatë ditës së djeshme dhe sot, policia ka kryer kontrolle për të verifikuar se si kishte mundur që të jetonte në Tiranë pa u pikasur Orges Bilbili.
Bilbili jetonte në një apartament me qira në rrugën “Sitki Çiço” në Tiranë sëbashku me një person tjetër rreth të tridhjetave, i cili është me precedentë të theksuar kriminalë.
Gjatë kontrollit në banesë është gjetur edhe pasaporta e këtij të fundit si edhe veshje, të cilat po verifikohet nëse janë përdorur ose jo në ndonjë vepër tjetër penale.
30 vjeçari me inicialet A.K është emër shumë i njohur për policinë për shkak se akuzohet për veprën penale “Krime kundër njerëzimit”.
Kjo vepër penale parashikohet në nenin 74 të Kodit Penal dhe parashikon vrasjen e më shumë se një personi, zhdukje trupi, etj, dhe dënohet me jo më pak se 15 vite burg.
Dyshohet se A.K ishte personi që strehonte Bilbilin duke e përdorur për qëllime të një organizate kriminale.
Personi në fjalë ka mundur të largohet nga banesa pasi mësoi se çfarë kishte ndodhur. /abcnews/