Nga Fatmir Merkoçi
Ndoshta në këtë kohë, kur bota ndodhet në një periudhë pandemie, duket si paradoksale të flasësh për Drejtësinë. Në shumë shkrime, personalisht kam shkruar se Reforma në Drejtësi është e dështuar. Shumëkush, jo vetëm që nuk më ka besuar e mbështetur, por dhe e quanin paradoks të vërtetë këtë llogjikë. Vetëm kur individët e sistemit, filluan ta ndjenin mbi shpatulla, dolën kundra. Kjo nuk i bënte të besueshëm pasi, “çuditshëm” nuk jepnin argumentet e duhura ligjore.
Në të gjitha rastet, Reformën e kam cilësuar si të pa bazuar në ligj. Dhe, si një reformë që do “pillte” medoemos Kushtetutën. Kuptohet se një veprim të tillë nuk mund ta anashkalosh pasi Kushtetuta është baza e shtetit. Dhe pa dyshim, prekja, përshtatja e saj për interesa të grupimeve politike apo individuale, do të sillte kaos në Drejtësi. Gjë që sot e ka kuptuar çdo kush, që e ndjek Drejtësinë.
Po le të shohim çështjen e Kolegjit Disiplinor të Polonisë që KE-ja i dërgoi GJED-së për shqyrtim. Vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës së Drejtësisë Evropiane ( GJED ), ose më thjeshtë, kjo gjykatë, të mërkurën, ka vendosur pas shqyrtimit të çështjes së KD-së polake “Pezullimin e veprimtarisë së këtij Kolegji” deri në vendimin përfundimtar, dalë nga kjo gjykatë. Pra kjo është një çështje e cila ngjan si dy pika uji me situatën tek ne. Pasi Komisioni Disiplinor i Polonisë konsiderohet si një organ që merr në shqyrtim gjyqtarët dhe prokurorëve. Pas hetimit KD-ja i shkarkon ata nga detyra. Këtu GJED ka analizuar se kemi të bëjmë me largime nën ndikimin e politikës. Si të tilla, nuk mundet të jenë të paanshme. Ndërsa KE-ja, kërkon që ky vendim të zbatohet menjëherë pasi sjell pasoja të pa riparueshme. Pra jemi tashmë në kushtet kur, kemi shkruar se do këtë një amulli në drejtësi. Dhe kjo reformë në rastin tonë do të dështojë.
Shkas për ta trajtuar këtë vendim të GJED erdhi si pasojë, jo vetëm se është vendim i asaj gjykate, por se nga Reforma në Drejtësi tek ne, u krijuan Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Të cilat janë dy organe të njëjta me atë të K.D.-së polake.
Kjo tashmë tregon se e njëjta situatë është dhe në Shqipëri. Pasi, askush nuk ka treguar për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. Vendimet e tyre, dukshëm kanë qenë me ndikim politik. Jo pak raste janë përfolur në media, si për ata që janë larguar, dhe për ata që kanë kaluar dy shkallët e gjykimit. Rasti më i pastër dhe që solli konfliktin e hapur mes Presidentit dhe Qeverisë e Kuvendit, do të ishte i mjaftueshëm që, GJED-ja të dalë me një vendim të ngjashëm, si ai për Poloninë, dhe për Shqipërinë. Por ajo që është për t’u vlerësuar është fakti se në Shqipëri mungojnë si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë. Janë në pamundësi reale për të funksionuar dhe gjykatat e tjera më të ulëta. Një vendim i tillë nga GJED-ja do të përmbysi gjithçka dhe kuptohet se duhet të nisi nga e para. Në këto kushte, ajo që kam shprehur dhe më parë është se Shqipëria duhet, jo më të arnojë, por të bëjë një Kushtetutë nga themeli. Një Kushtetutë shqiptare dhe për shqiptarët.
Ndoshta kostoja ( sidomos) në kohë do jetë e madhe. Por duhet të kuptojmë se, pa sakrificë nuk arrihet asgjë. Kjo sepse në trashëguam një mentalitet qoftë dhe në drejtësi. Ky është mentaliteti i Partisë-shtet. Ndaj dhe “konstitucionalistët” nuk e kundërshtuan reformën si anti-kushtetuese, por u bënë palë me politikën dhe qeverinë.
Ndaj sot ne kemi një sistem i cili, falë 140 kartonave të ngritura pro Kushtetutës po e kristalizon diktaturën. Ndaj shohim sëfundi se në çdo ligj, VKM-ja, ligj të posaçëm apo akt-normativ, bien ndesh me Kushtetutshmërinë. Falë këtij kaosi, të Drejtat e Njeriut humbasin në mënyrën më normale brenda një shteti anormal.
Sot Presidenti, Kuvendi dhe Qeveria, duhet ta shohin vendimin e GJED si një vendim që do sjelli pasoja të pariparueshme dhe me kosto të lartë financiare. Çdo veprim i mëtejshëm i KPK-së dhe KPA-së do ta thellojë këtë kaos në Drejtësi. Kjo dhe për faktin e thjeshtë se: Vendimi i GJED do përdoret nga ata të shkarkuar, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut e cila gjithashtu pa harruar dhe vërejtjet e Komisionit të Venecias ku, kishte kritika për Vetting-un dhe organet e sajë. Aq sa rekomandon dhe rishikim të vendimeve të saj.
Rruga e zgjidhjes është e thjeshtë, pasi hapësirat ligjore nuk mungojnë. Por dëshirë për të pasur një drejtësi mbi parimet bazë të Shtetit së Drejtës, duket se mungon nga politika në përgjithësi dhe nga të “paprekshmit” në veçanti. Ku këta të fundit, janë një pjesë aktive e mirë organizuar, për ta penguar drejtësinë për tu ngritur në nivelin e duhur të saj.
Leximi dhe zbatimi drejtë i vendimit të GJED-së do tregojë se jo vetëm duhet reflektim, por dhe kuptimin e drejtë si të situatës ashtu dhe të pasojave. Anashkalimi jo vetëm nga shtetarët dhe politika, por dhe nga ata që pretendojnë se janë konstitucionalistë e drejtues të Organeve të Drejtësisë, do të thotë se palët janë bërë palë me njëri-tjetrin. Dhe se vizioni i shtetit ligjor po shuhet.