Drafti i propozimeve për ndryshime në Kodin Penal në lidhje me ndëshkimet për personat që thyejnë rregullat dhe urdhrat e vendosura gjatë situatës së pandemisë COVID-19, është zbardhur sot nga Report tv.
Kush nuk i bindet rregullave të reja të nxjerra gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 30 ditë deri në 1 vit burg. Por nëse nga thyerja e rregullave rrezikohet jeta ose shkaktohet vdekja e një personi tjetër, dënimi është me 1 deri në 5 vjet. Një shembull konkret është: Nëse një lokal që nuk respekton rregullin dhe qëndron hapur, siç ndodhi në qytetin e Elbasanit, nuk vendoset masë administrative me gjobë, por me burgim, pasi prej aty u infektua pronari dhe janë marrë tamponët e rreth 45 personave që kanë pasur kontakt me të pasi kanë hyrë në lokalin e hapur në paligjshmëri.
Ndërkohë, kush shkel rregullat e karantinimit dënohet jo më vetëm me gjobë 700 mijë lekë siç ishte në aktin normativ, por me burg deri në 10 vjet.
Nëse thyrja e karantinimit shkakton pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burg nga 3 deri në 10 vjet. Thënë më thjesht, nëse personi që thyen karantinën është i infektuar dhe ia transmeton atë dikujt tjetër, rrezikon burgin në 10 vjet.
Por nëse nga kjo shkelje, shkohet në vdekjen e personit tjetër, dënimi është me burg nga 5 deri në 15 vjet. Pra, nëse hetimi epidemiologjik zbulon që personi i infektuar me koronavirus që ka humbur jetën (hipotetikisht), ka pasur kontakt me personin që ka thyer karantinën, ku i fundit rrezikon burgun deri në 15 vite.
Këto janë propozimet e deputetes Edlira Bode, që pritet të miratohen në Kuvend në seancën e 16 prillit. Ndryshimet në Kodin Penal i paralajmëroi kryeministri Edi Rama në një komunikim publik mbrëmë. /shqiptarja.com/