Kryeministri Edi Rama sqaroi në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi se si qeveria ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Ilir Meta gjatë periudhës së pandemisë Covid -19.
“Me presidentin kemi dakordësi për një arsye shumë të thjeshtë, Presidenti qysh se ka filluar lufta ka bërë detyrën e tij, ka thënë gjërat e duhura për njerëzit, ka ndihmuar me sa ka pasur mundësi.
Dhe faktikisht, faktikisht përtej asaj që është film i ndërprerë nga lufta s’kam absolutisht asgjë me të cilën deri tani mund të jem në mosdakordësi me Presidentin për sa i përket luftës” – theksoi Rama.
E kundërta po ndodh me opozitën. Edhe në këtë kohë, përplasjet mes palëve janë shtuar. Për këtë kryeminsitri shton:
“Me opozitën nuk kam se si të gjej dakordësi, megjithëse me timen unë e kam bërë përpjekjen time e do të vazhdojë ta bëj por është fatkeqësi kombëtare që edhe në këtë luftë që është për jetën e njerëzve të vazhdojë avazi i vjetër dhe pllaka e gramafonit të mos ndryshojë asnjë ditë.
Është fatkeqësi e madhe kombëtare që asnjë vend tjetër nuk e ka. Është taksirati ynë është taksirat i këtij populli, i këtij vendi për fat të keq” – tha Rama në Përballë.