Një lagje e tërë del në rrugë për të festuar duke thyer karantinën e vendosur prej emergjencës së koronavirusit.
Është kjo ajo që ndodh në një prej vendeve më të goditura nga Covid-19, në Spanjë.
Qytetarët në grup, pasditen e së dielës që lamë pas, në Beas de Segura, qendër e vogël me 500 mijë banorë në provincën e Jaén, të Andalusia, u bënë protagonistë të kësaj ngjarje.
Një lagje e tërë, ajo e Vista Alegre, doli në rrugë për të kërcyer, duke thyer rregullat e distancimit social. Si të mos mjaftonte, ai episod u përmend edhe nga Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili u detyrua që të komunikojë masa drastike dhe gjendjen e emergjencës.
Episodi ngjalli revoltën e kryebashkiakut José Alberto Rodriguez Cano.
Me anë të një postimi në Facebook, ai e dënoi ngjarjen, duke thënë se, “Sapo mësuam mbi ç’po ndodhte ndërhyri policia lokale për të shpërndarë njerëzit dhe për t’i detyruar që të kthehet në shtëpi. Janë lajmëruar edhe autoritetet përgjegjëse për të ndëshkuar përgjegjësit. Prej javësh tashmë po punojmë për të mbrojtur popullsinë nga përhapja e koronavirusit dhe nuk do lejojmë që këto masa të shkojnë dëm”.
Deri më tani në Spanjë numri i viktimave nga Covid-19 ka shkuar në 13.789, ndërsa i të prekurve në 140.510.