Gazetari Ylli Rakipi thotë se në kulmin e krizës së pandemisë, kryeministri Rama ka marrë rolin e protagonistit, në vend që të shqetësohet se si t’i ndihmojë qytetarët e mbyllur në shtëpi, shumë prej të cilëve përballen edhe me pamundësinë për t’u ushqyer.
Në një intervistë për emisionin “Në Fokus”, në TemA TV, Rakipi tha se karantinimi është masa e duhur, pasi shteti nuk ka kapacitetet për t’u përballur në mënyrë tjetër me përhapjen e virusit.
Por sipas tij, në një situatë të tillë, kur duhej të dëgjoheshin ekspertë dhe profesionistë të shumë fushave, kryeministri ka marrë rolin e protagonistit.
“Në këtë Big Brotherin ku është futur bota, por sidomos në këtë Big Brotherin tonë, shqiptarët kanë filluar të mërziten nga një njeri që ka marrë rolin e protagonistit, u del përpara, i tmerron.
Vetëm që nuk ka një dru të madh në dorë dhe t’i marrë me radhë dhe t’u bjerë, t’u thyejë kokën e qafën. Siç thotë ai babai i shqiptarëve, por ky baba i tremb, i tmerron.
Karantinimi është i drejtë se virusi është i panjohur dhe nuk e dimë çfarë sjell. Është një shtet copë-copë. Në raste të tilla, populli është një masë e madhe që ka nevojë për një besim të madh.
Në këto raste duhet të funksionojnë institucionet dhe ekspertët. Të jenë në punë njerëzit e zanatit, flas këtu për mjekët, të gjithë ekspertët.
Edi Rama thotë jemi në një luftë të madhe dhe në këtë luftë i ka marrë përsipër vetë. Përfytyroni sikur të kishim një luftë klasike dhe përfytyroni ta bënte këtë luftë NATO dhe të mos merrnin pjesë në të gjeneralët, por ta drejtonte Trump apo Merkel. Përfytyroni sa shpejt do të binte kjo ushtri”, tha ai.
Rakipi shtoi se mënyra sesi Rama po i përdor rrjetet sociale tregon pikërisht dëshirën e tij për protagonizëm edhe në ditët më të vështira për qytetarët.
“Edi Rama kërkon të bëjë protagonistin edhe kur vdekja sillet rreth nesh, në çastet kur shqiptarët janë në ditët më të vështira. Ky njeri sfilitet për të gjetur fraza të fetarëve duke i sjellë dhe duke i cituar dhe nga ngulmi i madh harron dhe merr edhe frazat e terroristëve. Ai duhet të mendojë se çfarë duhet t’u japë shqiptarëve në këtë situatë”, tha ai. /tema/
Mos pirdh kot ,Ylli