Në një kohë kur të paktën 20 shtetas shqiptarë janë bllokuar në territorin neutral mes Greqisë dhe shtetit tonë, për shkak të mbylljes së kufirit në kuadër të masave kundër COVID, vjen një deklaratë nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Në një intervistë për emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ ai theksoi se duke marrë shkas nga situata në fjalë, një ndër masat ndaluese, është ndalimi i lirisë së lëvizjes. Sipas tij hapja e kufirit do të vinte në rrezik sakrificën e shqiptarëve brenda territorit tonë, dhe gjithçka mund të shkonte dëm.
Lleshaj tha se personat që janë rezident në Greqi, nuk do të lejohen kategorikisht që të hyjnë në vendin tonë, deri në kalimin e kësaj situate. Ministri bëri të qartë faktin se personat që janë bllokuar në Greqi për shkak të COVID dhe jetojnë në Shqipëri, mund të futen në vendin tonë, përmes kërkesave në konsullatë, dhe më pas do kryejnë karantinën e detyrueshme për 14 ditë.
“Qytetarët që shihni dhe ju në atë video, kanë një leje qëndrimi në Greqi. Ndoshta janë të painformuar ose keq informuar por jetojmë në një situatë të jashtëzakonshme dhe shumë prej rregullave të zakonshme. S’janë më në fuqi. Një ndër ndalesat, është ndalimi i lirisë së lëvizjes. Një shqiptar nuk duhet të vdes, por të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Qeveri të ndryshme kanë zbatuar rregulla të ndryshme. Shqipëria po zbaton këtë rregull karantinimi. Lejohen vetëm shoferët. Të tjerët duhet të qëndrojnë atje ku janë për momentin. Edhe qytetarë nga Italia, mund të kenë dëshirën dhe nevojën që të kalojnë në fshat pranë prindërve të tyre këtë kohë. Qytetarët që kanë një rezidencë të përhershme jashtë Shqipërisë, nuk kanë autorizim për të udhëtuar drejt Shqipërisë, për sa kohë zgjat situata. Qytetarë të tjerë, që i ka kapur situata në vendet e tjera, këta janë një kategori tjetër, që mund të vinë në atdhe. Por duhet të konsultohen me konsullatën. Ata vinë në kufi dhe më pas priten nga policia, ose nisen për në vetëkarantinim ose në karantina të caktuara. Autoritetet shqiptare janë të ndërgjegjshme për sensibilitetin e problemit, por në këto rrethana prevalon jeta e qytetarëve në tërësinë e saj. Dhe ne s’mund të lejojmë që për arsyeje të paarsyeshme të rriskojmë qytetarët këtu. Kushdo që ka një leje qëndrimi të përhershme, supozohet se në atë vend ka një vend qëndrimi. Personat ë nuk kanë rezidencë në Greqi, do të futen në karantinë në Shqipëri. E them me keqardhje, se kjo është situatë që vetë gjëra të hidhura kemi. S’kemi mundësi që të bëjmë eksperiment. Kemi sakrifikuar qytetarët tanë me këto masa.”, tha ai.