Nga Eduard Zaloshnja
Deri në 1 prill, ishin konfirmuar 259 raste me COVID-19 në Shqipëri. Sot kjo shifër është ngjitur në kuotën 377. Pothuaj 40% e 118 rasteve të reja të prillit janë regjistruar në bashkitë Shkodër dhe Has, popullsia e të cilave (së bashku) është sa 5% e totalit të republikës.
Hasi dhe Shkodra kanë regjistruar në prill rritjen të madhe në përqindje të rasteve të konfirmuara me COVID-19; përkatësisht 500% dhe 450%. Nga raportimet në media, në Has duket se ka vepruar vetëm transmetimi familjar për shpërndarjen e koronavirusit. Ndërkaq, në Shkodër duket se ka patur një ndërthurje të transmetimit komunitar dhe familjar.
Bashkia Tiranë, e cila pati rritjen më të madhe të rasteve të reja gjatë marsit, duket se e ka ngadalësuar rritjen gjatë prillit (vetëm 26%, ndërkohë që rritja mesatare për republikën është 46% në prill). Ndërsa bashkitë Korçë, Vlorë, Krujë e Tropojë nuk nuk kanë patur asnjë rast të ri pas 1 prillit.