Pas dy ditësh të bllokuar në Kapshticë, personat që kanë mbetur në tokën neutrale, kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve të transportit të mallrave drejt Greqisë dhe Shqipërisë. Ata thonë se nuk do të lejojnë asnjë mjet të hyjë dhe dalë nga dogana, deri kur situata e tyre të marrë zgjidhje.
Edhe pse prej disa ditësh autoritetet tona vendosën mbylljen e kufirit me Greqinë, qytetarët shqiptarë të mbetur në vendin fqinj, vijojnë t’i drejtohen pikës doganore të Kapshticës,në përpjekje për të hyrë në Shqipëri.
Shumica prej tyre nuk janë pajisur me leje nga amabasada shqiptare në Athinë.
Të vetmit që janë lejuar të hyjnë, kanë qenë studentët dhe persona që kishin udhëtuar në Greqi për arsye shëndetësore.
Një pjesë e qytetarëve të bllokuar në tokën neutrale, kanë qenë të detyruar të kthehen nga Greqia, për shkak të përfundimit të ditëve të qëndrimit në hapësirën Shengen.
Por edhe emigrantët që janë me leje qëndrimi dhe që lejohen të hyjnë sërish në Greqi, kanë refuzuar të kthehen mbrapsht.
Grupi i qytetarëve që presin në tokën neutrale rritet orë pas ore, ndërsa autoritetet e kufirit janë të vendosur për të lejuar vetëm ata me autorizim të posaçëm për t’u kthyer në atdhe.