Paketa ekonomike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në dispozicion të krizës së krijuar nga koronavirusi, është 2 trilionë dollarë.
Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, Menada Zaimi për RTV Ora ka sqaruar se nga kjo paketë do të përfitojnë ata individë që kanë të ardhura më pak se 99 mijë dollarë.
Sipas saj shuma që është vënë në dispozicion për çdo individ është 1200 dollarë ndersa për fëmijët 500 dollarë.
Pagesat për qytetarët amerikanë do të bëhën në formë çeqesh, duke filluar nga 9 prilli.
“Momenti më i rëndësishëm tashmë është se kur amerikanët do të marrin këto para. Sipas përllogaritjeve bëhet fjalë që dërgesat e para të çeqeve dhe këtu bëhet fjalë për një pagesë njëherësh që do ti bëhet çdo amerikani prej 1200 dollarësh do të fillojnë prej datës 9 prill. Një pjesë do ti marrin në datën 9 prill, një pjesë tjetër duke filluar nga data 24 prill. Do të shikohen me përparësi ata shtetas amerikane, në fakt nuk bëhet fjalë vetëm për shtetasit amerikanë që do të marrin, por të gjithë ata të cilët kanë paguar taksa në SHBA do të marrin këtë shumë prej 1200 dollarësh. Sigurisht në varësi të të ardhurave, jo të gjithë amerikanët do të marrin. Nëse një amerikan fiton më shumë se 99 mijë dollarë në vit, nuk përfiton nga kjo paketë. Ata që marrin 99 mijë dollarë dhe më poshtë do të përfitojnë, flas si individë”, tha Menada Zaimi.
Nga kjo paketë sipas saj nuk përjashtohen as fëmijët, të cilët do të përfitojnë 500 dollarë.
“Kështu që amerikanët do të kenë mundësi të marrin edhe për fëmijët e tyre. Do të ketë një pagesë 500 dollarë për çdo fëmijë për familje që mund të përfitojnë nga kjo paketë. Pra shumë shpejt, brenda këtij muaji do të fillojnë edhe pagesat e para”.
Gazetarja Zaimi tha se rreth 100 miliardë dollarë do të shkojnë për spitalet amerikane, që duhet të mbulojnë humbjet që kanë pësuar gjatë kësaj periudhe.
/a.r