Korporata Elektroenergjitike Shqipëtare,(KESH) si e vetmja kompani publike për prodhimin e energjisë elektrike në vend, pas situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19, ka marrë të gjitha masat për të vijuar me kapacitet të plotë, për të siguruar energjinë e nevojshme në këto ditë të vështira për të gjithë.
Gjithashtu janë marrë të gjitha masat në zbatim të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe Sekretariatit të Energjisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit si dhe sigurimin e shëndetit të të gjithë punonjësve dhe familjarëve të tyre në të tre Hidrocentralet në administrim të KESH.
Në zbatim të planit të masave të miratuar si pasojë e shpalljes së pandemisë, të gjithë strukturat e KESH sh.a po vijojnë punën në përmbushje të të gjitha detyrimeve dhe në përgjigje të kërkesës së sistemit energjitik.
Në një komunikim me Administratorin e KESH sh.a, Benet Beci, bën më dije se po vijon pa ndërprerje prodhimi në të tre hidrocentralet e kaskadës se lumit Drin, ku janë marrë të gjitha masat e nevojshme, duke siguruar staf të domosdoshëm për çdo turn përgjatë 24 orëve. Gjithashtu janë siguruar pajisje e materiale mbrojtëse si maska, doreza dhe solucione për higjienën si dhe kryerjen e dezinfektimit të të gjithë ambienteve të punës.
Falë masave të marra si dhe zbatimit rigoroz të tyre nga ana e personelit të hidrocentraleve, deri tani nuk kemi asnjë punonjës të dyshuar me COVID-19. Për sa i përket prurjeve dhe prodhimit të Hidrocentraleve gjatë 24 orëve të fundit, rezulton të kemi rreth 160 m3/s, duke siguruar një prodhim ditor rreth 7.000 MWh/ditë.
Rezerva energjetike është 889 GWh, ose 157 GWh më shumë se mesatarja shumëvjeçare dhe 325 GWh më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës sot shënon 284 metra, rreth 11 metra më shumë se një vit më parë. Sigurojmë të gjithë qytetarët që do të vijojmë të prodhojmë energjinë e domosdoshme e pa ndërprerje për gjatë gjithë periudhës së pandemisë COVID-19.