Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thekson se e gjithë procedura e tenderit të ushqimit për ndihmën e shpërndarë në familjet në nevojë dhe pensionistët e vetmuar është bërë konform ligjeve, ndryshe nga na PD-ja akuzon.
Ajo shkruan se e mirëpret padinë në SPAK, por e cilëson si të ulët dhe imorale që në një kohë luftë në vend të japë kontributin e saj të merret me ato që ajo i quan ” shpikje të modelit Babale”.
“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparesi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion.
Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashket për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!
I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”, shkruan Xhaçka.
PD dorëzon në SPAK kallëzimin për ushqimet: 6 veprat penale të Ministrisë së Mbrojtjes