Kryeministri Edi Rama pa paralajmëruar gjoba për ata që shkojnë në ceremoni mortore.
Ai shprehet se do të ketë rritje të ndëshkimeve.
Shefi i Qeverisë sjell si shembull një varrim në qytetin e Shkodrës, ku papërgjegjshmërisht ishin infektuar disa persona.
“Në Shkodër e infektuan njëri tjetrin në një mort dhe pastaj e bën zinxhir për të 7-ta, kështu është kjo luftë. kur e vumë këtë fashë orare, e vendosëm që do të zgjatje deri të hënën, por u detyruam ta shtyjmë me disa ditë. E keqja nuk ka ardhur akoma. Kjo nuk është çështje oraresh apo rregullash, por e disave që u ka mbetur sahati 12. Ja kush është plani që po përgatisim dhe do kthehet në ligj shumë shpejt. Si fillim do zgjasim fashën orare, por do rrisim ndëshkimet dhe për rastet e përsëritura do të shkojnë deri në burg. Më pas gjithmonë me shkallë dhe sipas dinamikës, do lejojmë automjetet private me fashë orare të zgjatur për kompanitë që kanë aktivitet ligjërisht të lejuar, por do rriten ndëshkimet”, tha kryeministri Rama.
Rama u shpreh se Shqipëria me masat e marra nga qeveria dhe nga reagimi popullor po hyn në histori suksesi. Edi Rama tha se aktualisht ka një numër shpresëplotë të të shoqëruarve e megjithatë kjo nuk duhet të shërbejë që qytetarët të neglizhojnë masat mbrojtëse, pasi bilancet e luftës tha ai, bëhen në fund.
“Na duhet të përshkallëzojmë të gjitha këto masa që një pakicë absurde të mos marrë në qafë shumicën që duhet ta lehtësojmë sepse po lufton dhe reziston në mënyrë shembullore. Nuk mund ta humbin këtë luftë për qejfin e atyre që s’po duan të marrin vesh. Do ta fitomë këtë luftë me sesben. Shqipwria është në gjendje të bëjë një histori suksesi. Sot kemi numër shërimesh që na jep optimizëm. Duhet të mos harrojmë se bilancet e luftërave bëhen në fund dhe nuk ka ndeshje që fitohet pa rënë bilbili. Ne duhet të vazhdojmë të rezistojmë ndërsa bilbili të vazhdojë të bjerë fort për sabotatorët e papërgjegjshëm të kësaj lufte për jetë a vdekje, dhe kemi detyrimin të dalim kryelartë”, tha kryeministri Rama. /e.s/