Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë një interviste për median italiane “Trmh24”, bëri të ditur se ekipi shqiptar i nisur drejt Italisë pak ditë më parë, ka nisur punën.
Në intervistën e dhënë paralelisht me zv.ministrin italian të Shëndetësisë, Manastirliu theksoi se Shqipëria ka çfarë t’i japë botës, teksa shtoi se vendi ynë nuk i harron miqtë.
“Unë kam pasur një telefonatë dje me djemtë dhe vajzat tona, ishin futur menjëherë në punë. Ditën e parë zhvilluan një trajnim të shkurtër, ndërsa ditën e dytë u vendosën në zona të ndryshme të emergjencës, të terapisë intensive dhe të terapisë subintensive. Edhe infermierët janë stabilizuar dhe kanë nisur punën. Unë i kam dëgjuar dhe ishin plot me energji dhe kurajo për të përballuar këtë luftë së bashku. Ky armik i padukshëm nuk mund të përballohet duke ndenjur në shtëpi. Sigurisht qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi, por ne duhet të jemi në linjë të parë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm”,- tha Manastirliu.
Duke folur për nismën e dërgimit të ekipit mjekësor, Manastirliu tha se ishte nismë e kryeministrit Edi Rama.
“Janë fjalët e kryeministrit tonë dhe i ka thënë me zemër, “ne vërtet nuk jemi të pasur, por kemi memorie”. Ai ishte nismëtari, ideatori, për të nisur rezervat tona në Itali. Një akt solidariteti, për një vend që e ne ndjejmë si vendin tonë, pasi shumë vite më parë, qindra shqiptarë emigruan dhe erdhën në Itali dhe ju i dhatë një çati, i pranuat, dhe i bëtë të ndihen qytetarë me të drejta të plota. Por nuk është vetëm një borxh që kemi, por një gjë që ne e mendojmë kështu, ky armik luftohet duke punuar bashkë. Ne shqiptarët jemi kështu, nëse dikush ka nevojë, ne jemi aty për ta ndihmuar. Ne jemi kështu me njëri-tjetrin, në të mirë dhe në të keqe”,- tha Manastirliu.
Ajo shtoi se vendi ynë ka çfarë t’i japë botës.
“Sigurisht Shqipëria ka çfarë t’i japë botës, ka dhënë edhe shumë në Itali. Ne ndoshta nuk jemi të pasur sa i takon të ardhurave, por kemi pasurinë intelektuale. Sot në Itali ka shumë persona që punojnë si mjekë e infermierë, por edhe në fusha të tjera”,- tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Duke folur për situatën në vendin tonë, Manastirliu tha se “edhe ne po luftojmë me këtë armik, jemi në javën e katërt, nga rasti i parë. Ajo që kemi bërë është që qeveria ka vendosur menjëherë “lockdown” shumë restriktiv, duke i dhënë kohë që rastet të mos rriten dhe të tejkalojnë kapacitetin. Tani jemi në një pikë, kur s’mund të ulim vëmendjen, ne do të vijojmë me këto masa restriktive, sepse s’kemi vaksinë apo terapi specifike për këtë infeksion, por kemi vetëm eksperiencën ndërkombëtare. Sa i takon furnizimeve me maska dhe materiale të tjera, ne për fat kemi pasur kontrata dhe kemi kanal të hapur me Turqinë dhe vende të tjera”, nënvizoi Manastirliu.