Teksa numri i të prekurve nga koronavirusi është rritur ndjeshëm në gjithë botën, vendet e ndryshme kanë marrë një sërë masash për të mbrojtur qytetarët e tyre. Distancimi social është masa kryesore e ndërmarrë gjatë këtyre javëve, për të parandaluar përhapjen e virusit.
Por ndërkohë, një masë ekstreme vjen nga Panamaja, e cila duke filluar nga e mërkura do të zbatojë rregulla të caktuara për burrat dhe gratë.
Kështu, gratë do të lejohet të dalin nga shtëpia të hënën, të mërkurën dhe të premten për të bërë blerjet e tyre, ndërsa burrat do të mund të dalin jashtë për të kryer aktivitete të ndryshme në ditën e martë, të enjte, dhe të shtunë.
Ndërkohë që të dielën, nuk lejohet të dalë askush nga shtëpia.
Sipas zyrtarëve të qeverisë, kufizimet do të zgjasin së paku 15 ditë.
“Masat shtesë për karantinën kombëtare tashmë të shpallur në vend, do ta bëjnë më të lehtë punën për policinë e vendit të Amerikës Qendrore që të kufizojë numrin e njerëzve që dalin në publik”, shkruan CNN.
“Numri i madh i njerëzve që qarkullojnë jashtë shtëpive të tyre, pavarësisht masave të vendosura për karantinë të detyrueshme kombëtare, ka bërë që qeveria të marrë masa më të rënda”, thuhet në një deklaratë të Presidentit Panamez Laurentino “Nito” Cortizo në Twitter.
Më parë, zyrtarët panamezë kishin porositur të gjithë qytetarët që të qëndronin prenda, përveç urgjencave dhe nevojës për të blerë ushqim. Por të alarmuar nga numri i njerëzve që ende po dilnin në rrugë, zyrtarët panamezë vendosën që të ndanin javën sipas gjinisë, për të kufizuar më tej pjesën e madhe të qytetarëve që dalin jashtë në të njëjtën kohë.
Ndërkohë, edhe në ditët e tyre të përcaktuara, burrat dhe gratë do të kenë vetëm dy orë kohë për të bërë blerjet e tyre, sipas njoftimit të qeverisë panameze.
Panamaja ka 1075 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 27 të vdekur, sipas raportimeve të zyrtarëve shëndetësorë. /e.s/