Pamflet nga Ervin Lera
Duke e parë se coronavirus nuk kursen askënd, as të madh e as të vogël, as të dobët e as të shëndoshë, as të gjatë e as të shkurtër, zv.kryeminstri Erjon Braçe është strukur në folezën e tij dhe, ka lënë pas dore të gjitha detyrat zëvendëskryeministrore. Kryeministri është i detyruar ta tolerojë sepse sot më shumë se edhe në kohën kur ishte e shkruar edhe në mure “njeriu kapitali më i çmuar”, nuk mund ta detyrojë të dalë në punë.
Kjo shkakton një boshllëk të parikuperueshëm sidomos për rolin e rëndësishëm që zëvendëskryeministrat shqiptarë kanë historikisht në Shqipëri (ashtu si dikur edhe Niko Peleshi etj.). Në të vërtetë asnjë nga ne nuk e ka ndjerë vakumin zëvendëskryeministror sepse detyrat janë përmbushur. Me djallëzi dhe dashakeqësi, kryeministri e ka zëvendësuar incognito zotin Erion Braçe dhe, as nuk e ka bërë publike (do të ndëshkohet për mungesën e transparencës), as nuk është konsultuar (do të ndëshkohet për centralizimin e pushtetit kryeministror).
Pavarësisht se nuk i dëgjojnë zërin zëvendëskryeministror, të gjithë veç habisë prej ndryshimit të zërit dhe figurës , kanë edhe kureshtjen e formës fizike. Mos u shqetësoni fare., kryeministri nuk ka nevojë as ta kërkojë dhe as ta përzgjedhë mes anëtarësh, simpatizantësh apo të lëkundurish, zëvendësin e tij të ri të kohëve të luftës.
Kryeministri shquhet për arrogancën, ironinë deri në sarkazëm dhe mizantropinë e tij ndaj atyre që nuk i pëlqen apo nuk i do afër vetes. Kryeministri shquhet se di të largojë nga vetja çdo zë kundra dhe as nuk pranon të këshillohet apo ndihmohet, është shumë kokëfortë dhe këmbëngulës në të tijën, sidomos kur është i gabuar. Por, kohët e fundit, pasi mori edhe çeljen e negociatave, kryeministri ka bërë shumë miqësi me krerë shtetesh të zhvilluara dhe ka mësuar prej tyre edhe artin e marketingut, prej nga ka mësuar se antireklama është publiciteti më i mirë.
Kryeministri, nxjerr çdo ditë incognito-zëvendëskryeministrin që të shajë dhe demaskojë masat e marra, dhe e mëson : thuaj se ti më propozove, madje kërkove me forcë deri në kërcënim se do më rëndojë barra e mëkatit, të vë më shumë para në dispozicion të sistemit shëndetësor por sidoqoftë diçka po bëhet sepse mjekët po vazhdojnë të luftojnë pa u trembur; thuaj se ti më propozove, madje kërkove me forcë deri në kërcënim se do më rëndojë barra e mëkatit, të vë më shumë para në dispozicion të biznesit dhe t’ja heq oligarkëve por sidoqoftë buxheti ka para mjaftueshëm (hë më i lumtë kryeministrit që edhe i jep oligarkëve edhe ka ende në buxhet); dil e thuaj, madje kërkove me forcë deri në kërcënim se do më rëndojë barra e mëkatit, se masat janë marrë me vonesë por, këtë do ta harrosh shpejt dhe nuk do e përsëritësh; dil e thuaj, madje kërkove me forcë deri në kërcënim se do më rëndojë barra e mëkatit, se nuk po ndihmohen shtresat në nevojë dhe po lihen në mëshirë të fatit por, mos përmend asnjë rast se nuk ka çna duhet, e shumë të tjera dil e thuaj madje kërkove me forcë deri në kërcënim se do më rëndojë barra e mëkatit, si këto…
Kryeministri tinëzar e diabolik, jotransparent dhe dashakeq, mendoj se e ka përzënë vetë zotin Erion Braçe, sepse përveç se ka vështirësi komunikimi me të për shkak të shtatlartësisë, por edhe do dikë të përshtatshëm më lehtësisht të bindur për ta nxjerrë që me antireklamë t’i bëjë publicitetin më të mirë. Tek e fundit, zotin Braçe e ka të betuar në anën e vet, tani që pasi të kalojë kjo situatë e mënxyrshme, shumë shpejt do të hyjë në fushatë elektorale për mandatin e rradhës (se numrat na janë ngatërruar që tani), i duhet që mos të përbuzet nga autopubliciteti, por, nëpërmjet antireklamës të përfitojë publicitet mjaftueshëm.
Edhe këtë kishim mangut nga kryeministri…, mirë që ndryshoi personalitetin zëvendëskryeministror, por edhe të bëhet marketier nëpërmjet incognito-zëvendëskryeministrit. A thua këto janë mëkatet e situatës të mënxyrshme dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian? Zot na ruaj…
Bo… Cfare trapi!