Autoritetet shëndetësore amerikane urdhëruan nisjen e një operacioni special në Kolorado, në përpjekje për të frenuar pandeminë e koronavirusit që po përhapet me shpejtësi në SHBA dhe kudo në botë.
Me propozim të ” United Biomedical”, në qytezën e Telurajdit në Kolorado nisi testimi i 8,000 banorëve të qytezës për anti-trupa të COVID-19, duke u bërë kështu komuniteti i parë në vend që po kryen testime masive për anti-trupa.
Specialistët e shëndetit besojnë se sekreti qëndron pikërisht te personat që tashmë janë infektuar nga ky virus.
Ideja është që nga gjaku i një individi të zbulohet nëse ka elementë që tregojnë se ky person është ekspozuar apo jo ndaj virusit. Me anë të këtij informacioni, zyrtarët më pas mund të vendosin nëse masat shtrënguese dhe karantinimi do të duhet të vazhdojnë dhe nëse këto masa duhet të jenë të shtrira gjerësisht në shumë shtete dhe qytete të vendit.
“Qëllimi është që me anë të këtij testimi, të arrijmë që ta kthejmë sërish vendin në normalitet”, thotë një përfaqësuese e “United Biomedical”, informon noa.al duke cituar një raport të ABC News America.
Sipas saj, nëse rezulton i suksesshëm, programi i testimit mund të zgjerohet.
Ndërkohë, aspekti shkencor që fshihet pas testimit është mjaft i thjeshtë. Çdo person që e merr koronavirusin, zhvillon anti-trupa në gjak, zakonisht brenda 10 ditësh, edhe nëse individi ka pasur simptoma të lehta apo aspak simptoma. Anti-trupat janë proteina që e ndihmojnë trupin të luftojë një virus, por ato shërbejnë edhe si një dëshmi se ku ka qenë virusi.
Duke qenë se një person i infektuar gëzon të paktën një imunitet të përkohshëm, një person i infektuar me COVID-19 mund të mos jetë i detyruar të rrijë i mbyllur në shtëpi. Ajo që mbetet e panjohur është nëse imuniteti është afatgjatë apo nëse një person që ka anti-trupa kundër koronavirusit mund të vazhdojë ta bartë virusin, duke u bërë kështu kërcënim edhe për të tjerët. Për shembull, personat që janë infektuar nga virusi MERS, i cili i përket së njëjtës familje, kanë shumë pak gjasa të infektohen sërish pas shërimit të tyre, por sipas zyrtarëve amerikanë, ende nuk dihet nëse një mbrojtje e ngjashme imunitare mund ta kenë edhe pacientë me COVID-19.
Ndërkohë që pandemia e COVID-19 vazhdon të përhapet në mënyrë të pandalshme duke shkaktuar me mijëra viktima, disa zyrtarë të lartë e shohin testimin si një mënyrë për rihapjen e qyteteve dhe kthimin e njerëzve në punë.
/a.r