Nga Ervin Lera
Italia e qytetit të përjetshëm, e da Vinci-t, e Michelangello-s, e Donatello-s,Rafaello-s, Botticelli-t, po lëngon. Nuk është thjeshtë e lënduar, Italia e Dantes është buzë ferrit dhe po rënkon. Italia e Verdi-t, Puccini-t, Vivaldi-t dhe e të gjithë maestrove të mëdhenj sot ka zëvendësuar tingujt e klasikëve me lotë. Italia e Firences, zemrës së Rilindjes Europiane i ka zbehur ngjyrat e klasikëve dhe sheh gri. Italia e Romeo dhe Zhuljetës sot vuan njësoj dhimbjen e humbjes, dhimbjen e pamundësisë, jo sepse janë të pëlqyer apo të prefuar, por një zot e di se pse dhe as Shën Pali nuk po di t’ju thotë se pse… Italia e Pinocchio-s, i cili sot kërkon baba Carlo-n pa ditur ku mund ta gjejë. Italia që edhe te ne, e për ne ka bërë shumë, aq shumë sa ndoshta as ne nuk do të kishim mundur të bënim ; bulevardin, kompleksin e ministrive, godinën e debatshmë të teatrit e sa shumë të tjera. Italia ku shumë shqiptarë jetojnë sot është pothuajse e gjunjëzuar, por ende po di të mbahet.
Italia e cila në çdo kohë ka ditur të na mirëpresë, të na gjindet, të na përkrahë, të na ndihmojë e para, sot ka shtrirë dorën për ndihmë. As kurrë nuk ka qënë nevoja që ne t’i shtrijmë dorën Italisë, sepse Italia ka qënë gjithmonë e vëmendshme ndaj nesh. Edhe sot, që Italia, pa e tepruar aspak duke i thënë motër, vuan , ne të gjithë e ndjejmë shumë pranë dhimbjen dhe vuajtjen e saj. Jo për t’i shpërblyer sa e sa të mira që na ka bërë e dhuruar, sot 30 Mjekë si 300 Spartanë, u nisën të përballen dhe të ndalin dorën e xhelatit mikroskopik që na kërcënon të gjithëve.
Italia e Çezarit të pamposhtshëm, sot ka nevojë për këdo që mund të lehtësoje dhimbjet, kurojë vuajtjet dhe të përcjellë të pamundurit. Ju qoftë e mbarë rruga dhe e lehtë e me sukses lufta 30 mjekëve Spartanë që do të përballen të mundin xhelatin e padukshëm.
Nga sot, pa ndrojtje, më shumë se kurrë do të mund të themi se Italia është Ne dhe Ne jemi Italia, nga sot më shumë se kurrë do të mund të themi se Italia është motra jonë e madhe dhe e kujdesshme, e përkushtuar e jona.
Kthimi me fitore i 300 mjekëve Spartanë, është fitore e Italisë, e jona, e të gjithë Europës, e të gjithë botës. Tridhjetë nuk është thjeshtë një numër sot, tridhjetë sot është një mision luftarak njerëzor në shërbim të të gjithëve, prandaj dhe ne të gjithë do të jemi të përqëndruar e të lutur të mësojmë sa më parë se gjetën xhelatin e padukshëm, ja çveshën kapuçin dhe rrobën e zezë, i prenë duart dhe e mbyllën në qelinë e errët ku ai donte të na çonte të gjithëve ne.
Nga sot, jo vetëm ne e shohim Italinë si pjesën tonë bashkeuropiane, por edhe Italia na sheh ne si pjesën e vet bashkënjerëzore. Falemnderit dhe ju përulemi në respekt e mirënjohje mjekëve tanë Spartanë për nderimin që na bënë. Ata sot janë idhuj për secilin nga ne që kokulur na duhet t’i shohim të nisen me një mision të shenjtë e të shenjtëruar, më pranë sheshit shën Pali në Romë. Të prekur të gjithë në dëshirat dhe kërkesat tona sot për ne është shtuar edhe një detyrim i madh… Të lutemi për fatin e mbarë e të bardhë të tridhjetë mjekëve Spartanë që po na bëjnë krenarë dhe prej të cilëve do të ndjehemi të lëvduar e të falenderuar të gjithë.
Të gjithë bashkë do tja dalim…, sot, pa ndrojtje, ky për ne dhe të gjithë italianët që na kanë mirëpritur, mbështetur, përkrahur dhe ndihmuar në çdo kohë si të jenë motrat e vëllezërit tanë, është më shumë se një slogan, është një thirrje kundër xhelatit të padukshëm që po na gjëmon kudo e nga kudo.
Urata e të gjithëve ne sot është vetëm për ju mjekë Spartanë, e mbarë ju qoftë rruga dhe e lehtë fitorja. Me ju përkrah kushdo do të ndjehet më i fortë, më i sigurtë dhe më i shpresë.