Kur kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi të premten në mëngjes se ai kishte rezultuar pozitiv për koronavirus, ai këmbënguli se do të vazhdojë të kryesojë luftën e vendit të tij kundër pandemisë. Në një video të postuar në faqen e tij zyrtare në Twitter, Johnson tha se “falë magjisë së teknologjisë moderne”, ai do të vazhdojë të udhëheqë qeverine nga distanca, nga rezidenca e kryeministrit e “11 Downing Street“. Por, si mundet që udhëheqësi i një vendi me një popullsi mbi 66 milion të vazhdojë punen normalisht, ndërsa izolohet gjatë një krize globale shëndetësore? Sidomos pasi sekretari i tij i shëndetësisë testoi gjithashtu pozitiv për virusin, dhe që zyrtari kryesor i tij mjekësor u izolua me simptoma.
Izolimi i Kryeministrit nuk është aq i vështirë, në vetvete. Ambientet e Downing Street janë në të vërtetë dukshëm më të mëdha se sa duken nga jashtë. Pas asaj dere të famshme të zezë në numrin 10, ndodhet një grup dhomash dhe zyrash, që shtrihen anash në numrat 11 dhe 12 të Rrugës Downing. Johnson jeton në një apartament mjaft modest, në ndertesen me numrin 11. Një zëdhënës i Downing Street tha më parë të premten se dera lidhëse midis dy ndërtesave do të ishte e mbyllur.
Çdo gjë që i nevojitet Kryeministrit, qoftë letrat zyrtare ose dërgesat e ushqimit dhe pijeve, do të lihen jashtë një dere që ai mund t‘i marrë. Sidoqoftë, në përpjekje për të evituar virusin, Downing Street do të përpiqet të mbajë në minimum edhe këtë nivel kontakti. Takimet do të zhvillohen përmes konferencës video. Ndërsa kjo mund të tingëllojë e pazakontë, disa nga komunikimet e rregullta më të rëndësishme të Johnsonit, tashmë kishin qenë virtuale. Për shembull, takimet e fundit të Kabinetit të Mbretërisë së Bashkuar janë zhvilluar virtualisht. Dhe zëdhënësi i Johnson konfirmoi se kishin kaluar të paktën dy javë që kur audienca tradicionale javore e Kryeministrit me Mbretëreshën, ishte shkembyer, nga një takim personal në Pallat, në një telefonatë.
Brenda 10 Downing Street vetë, e konsideruar një vend pune më shumë sesa një vendbanim, nje ekip me afro 250 nëpunësish civilë dhe këshilltarësh politikë, eshte pakesuar vetëm ne stafin thelbësor, me afro 70 vetë. Zëdhënësi zyrtar i Johnson tha që brenda selise me Nr 10, stafi kishte “respektuar këshillat për distancimin social” dhe duke përdorur video konferenca, kur të ishte e mundur.
Sado e drejtpërdrejtë të tingëllojë, ka pyetje të ligjshme se sa e qëndrueshme është të drejtosh një vend në këtë mënyrë. Së pari, jane angazhimet e përditshme të Kryeministrit. Për momentin, dita e Xhonsonit ka një model të njohur. Në 8:15 të mengjesit, një ekip mblidhet për të diskutuar azhornimet më të fundit të koronavirusit pa Kryeministrin. Ky ekip përbëhet nga zyrtari kryesor mjekësor (OMF), këshilltari kryesor shkencor (CSA), Sekretari i Shëndetësisë dhe ministrat e tjerë të kabinetit, prania e të cileve mund të jetë e rëndësishme në një ditë të caktuar.
Në orën 9:15 të mëngjesit, Johnson zhvillon një takim me sekretarët e shtetit, CMO, CSA dhe këshilltarët e ndryshëm politikë. Kjo është kur axhenda e përditshme e qeverisë fillon të marrë formë. Dita e Kryeministrit zakonisht vijon të jetë e mbushur me takime me ekspertë dhe këshilltarë, duke çuar në një konferencë ditore për shtyp, të mbajtur në orën 5 pasdite, ku qeveria informon 66 milion qytetarët e Mbretërisë se Bashkuar mbi politikat e fundit të qeverisë.
Kryeministri deri më tani ka udhëhequr shumicën e këtyre ngjarjeve – të cilat në ditët e kaluara janë zhvilluar me gazetarë që janë thirrur përmes lidhjes video. Pjesa më e madhe e kësaj pune mund të bëhet në mënyrë efektive duke përdorur teknologjinë – ose, në rastin e mungesës së Kryeministrit nga këto konferenca shtypi, duke vendosur zëvendësues.
Sidoqoftë, menjëherë pas deklaratës së Johnson, Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock, konfirmoi që ai gjithashtu kishte virusin dhe gjithashtu do të izolohej. Dhe më vonë të premten pasdite, Chris Whitty, shefi zyrtar mjekësor për Anglinë, i cili ka qenë në qendër të përgjigjes së koronavirusit të vendit, konfirmoi se ai kishte simptoma COVID-19 dhe do të izolohej për shtatë ditë. Ai gjithashtu do të vazhdojë të punojë nga distanca.
Edhe sa njerëz rreth Kryeministrit britanik rrezikojnë të kenë koronavirus? Përkundër përmasave të saj, Rruga Downing është e mbushur plot me zyra të vogla dhe korridore të ngushta. Zyrtarët e lartë këmbëngulin se ata i kanë marrë udhëzimet për distancimin social të qeverisë me seriozitet, duke treguar per gazetarët një video te enjten mbrëma, ku dukej Boris Johnson duke lënë zyrat e Downing Street, për të marrë pjesë në një moment kombëtar duartrokitjesh për punëtorët e sistemit te shendetesise, dhe ku duket sesi qëndron një distancë të sigurt nga ministri i tij i financave , Rishi Sunak.
Sidoqoftë, të tjerët brenda Downing Street ankohen privatisht se është e pamundur t’i përmbahen rregullave të distancës sociale dhe se disa njerëz kanë ardhur për të punuar, duke shfaqur qartë simptomat. Për javë të tëra, kishte spekulime se sa kohë duhet të kalonte, përpara se koronavirusi të godiste zemrën e shtetit britanik.
Politika e Westminster zhvillohet në një hapësirë të vogël fizike në lagjen SW1 të Londrës, te mbushur me politikë, gazetarë, lobistë dhe pjesën tjetër. Eshtë një rrjet izolues per njerëzit që, për nga natyra e asaj që bëjnë, mbështeten në një sasi të madhe bashkëveprimi shoqëror. Ekipi rreth Boris Johnson ishin disa nga njerëzit e fundit që qëndronin në vazhdën e kësaj krize. Tani do të shohim saktësisht se sa efektivisht një vend si Britania e Madhe mund të drejtohet nga distanca.