Policia e Shtetit bën një sqarim të detajuar për të gjithë ata persona të cilët duan të lëvizin me mjete në këto ditë të emergjencës prej koronavirusit dhe që kanë nevojë për autorizim.
Policia në faqen zyrtare të saj www.asp.gov.al, ka publikuar një aplikacion të ri me emërtimin “Covid-19” – Lëvizja e kontrolluar me mjet!”
Të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, nëpërmjet këtij aplikacioni.
Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun http://autorizime.asp.gov.al.
Gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e kërkuara.
Në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre online, duke rritur kështu në maksimum transparencën e komunikimit të Policisë me qytetarët.
Policia e Shtetit ka marrë masa për të përballuar shqyrtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe bën me dije se çdo aplikim që plotëson kriteret sipas kërkesave të formularëve dhe miratohet nga ana e Policisë Rrugore do të jetë e verifikueshme nga patrullat e Policisë gjatë kontrolleve të ndryshme, në të gjithë territorin e vendit.
Sqarohet se të gjitha autorizimet e lëshuara më parë nga policia dhe ato të konfirmuara nëpërmjet email-it nga ana e Policisë janë të vlefshme dhe nuk është e nevojshme të aplikohet përsëri.
g.kosovari
Per arsyje ogjente