Nga Teuta Vodo
Mos merr libra me vete, dhe kur të jesh në tren mos shiko nga dritarja, thjesht shoqërohu me sa më shume njerëz”. Zho (Jean), djaloshi nga Konjaku ishte vetëm 16 vjeç kur babai tregtar e dërgon të takojë klientet e tij nëpër botë në 1904 duke i dhënë këto këshilla. Po cilit baba nuk do i pëlqente që djali i tij adoleshent të mos ta kishte mendjen sadopak tek studimet? Sigurisht që të gjithë. Por ata që merren me tregti kanë shpirt pragmatik, nëpër venat e tyre zjen gjaku për fitim dhe e dinë që koha duhet optimizuar. Nuk ka kohë për gjithçka – dhe babai i Zho-së e dinte mirë këtë. Prandaj duhet të zgjidhte. Dhe ashtu u bë. Zho udhëtoi në Londër, Skandinavi, Rusi, Egjipt, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara – për biznesin e familjes. Në Londër, ai qëndroi për disa vite ku, nga një agjent i biznesit të të atit, mësoi shumë nga bota e biznesit. Nga këto udhëtime ai kuptoi që bota ishte më e madhe se qyteti i tij i lindjes Konjaku, më e madhe se vendi i lavdishëm i quajtur Francë. Zho po rritej profesionalisht dhe po kuptonte fuqinë e negocimit. Ai po merrte gjithcka që donte përfshirë edhe Silvian, asokohe e martuar, duke e rrëmbyer nga krahët e bashkëshortit dhe duke e bërë shoqen e tij të jetës në kohën kur divorci nuk ekzistonte. Në Wall Street, ai kuptoi se mbi gjithçka, kishin rëndësi shkëmbimet tregtare. Ai u bë negociatori ‘par excellence’ gjatë luftrave botërore dhe u shndërrua në mediatorin midis Ruzvelt dhe Churchill.
Zho krijoi Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Celikut dhe u bë presidenti i tij nga 1952 deri në 1955. Në 1955, Zho themeloi Komitetin për Shtetet e Bashkuara të Evropës në mënyrë që partitë politike dhe sindikatat evropiane të shërbenin si themelet e Bashkimit Evropian: së pari, Komuniteti Ekonomik Evropian (1958); më vonë Komunitetet Evropiane (1967) me organet përkatëse, Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian të Ministrave, anëtarësimin britanik të Komuniteteve (1973), Këshillin Evropian (1974), Sistemi Monetar Evropian (1979) dhe zgjedhje direkte të Parlamentit Evropian (1979). Ky proces pasqyronte besimin e Zho-së në një qasje gradualist dhe institucionale për ndërtimin e unitetit evropian.
Bankieri i Wall Street, këshilltari i Presidentit Roosvelt dhe negociatori i pasluftës që De Gaulle aq shumë sulmoi nuk është më gjallë. Po të ishte, do të kishte disa gjëra për ti thënë edhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nuk e di çfarë saktësisht po di me siguri që nuk do ta shikonte vendin tonë si ‘sallatë jeshile’ siç De Gaulle quante të gjithe vendet e tjera Europiane qe nuk ishin Franca ose Gjermania.Do të thoshte si një vend i vogël mund të luajë një rol vendimtar në Union. Vendimi për hapjen e negociatave është një moment historik dhe lajm shprese në një kohë lufte, ndonëse i vonuar për shkaqe thellësisht politike. Duket ironi që tani që ‘askush nuk e ka mendjen’, hapet drita jeshile për vendin tonë, pikërisht në një moment kur BE po kalon krizën post-BREXIT që ka nxjerrë në pah dobësitë institucionale dhe krizën nga pandemia globale e Covid-19 ku po merr kritika të shumta për moskoordinimin e kësaj situatë (po rendis keto dy kriza në një fjali të vetmë por jo nga rëndësia). Këto kriza nuk do të jenë të lehta për t’u menaxhuar nga Brukseli, dhe ajo që pritet është një rritje e frymës euroskeptike dhe në një moment të tillë, liderët evropianë do të duhet të tregojnë aftësitë e tyre për të amortizuar sa më lehtë këto dy kriza. Një muaj më parë askush nuk do e mendonte se vendimi pozitiv i Këshillit të BE-së për çeljen e negociatave do të përcillej vakët. Nuk di t’ju them nëse duhej një pandemi që ka mbërthyer globin për të dhënë dritën jeshile por me siguri marrëdhënia simbiotike e Evropës me Shqipërinë ka qënë e përhershme, nuk ka një pikë fillesare dhe as një pikë finale, po forcohen dhe zbuten në vartësi të rrethanave historike. Deri në anëtarësimin e plotë, Shqipërisë do i duhet ende shumë kohë dhe kritere për të përmbushur, por ajo që është më e rëndësishmë është që procesi i evropianizimit të fillojë nga gjithsecili prej nesh.
Ata si Zho që e projektuan, e dinin që Europa nuk do të bashkohej menjëherë ose sipas një plani të vetëm, por hap pas hapi dhe nëpërmjet arritjeve konkrete. Bota sot është në kërkim të një Zho-je tjetër. Një Zho që me shumë gjasa nuk po merr trenin dhe nuk po socializon sepse i kanë thënë, me të drejtë, të qëndrojë brenda. Sot, Zho po bën të kundërtën e Zho-së së 1904. Ai po shikon i përhumbur nga dritarja pasi ka ‘përpirë’ dy libra në ditë dhe është i izoluar. Bota po kërkon një Zho që edhe pse do të ketë një De Gaulle të dytë që do ta quajë “një financier të vogël që i është shitur amerikanëve” të vazhdojë të besojë se bashkimi bën fuqinë, se edhe ‘sallatat jeshile’ mund të luajnë një rol kyç dhe se vende si Shqipëria nuk janë aq të vogla. Por mbi të gjitha bota po pret për një njeri me integritet ( sa cliché duket kjo flajë tani që po e shkruaj) që nuk do ta blejë të ardhmen e tij duke shitur miqtë e tij dhe shpirtrat e tyre, kërkon një Zho të dytë qe nuk do e shesë shpirtin e tij për titujt, kërkon një Zho që jep doreheqjen nga poste si kreu i Lidhjes së Kombeve kur e shikon që nuk ka frytet që priste, kërkon një Zho që kërkon të mbrojë interesat e qytetarëve para karrikes së tij, kërkon një Zho që sot sheh përtej Bashkimit Europian siç paraqitet sot.
Bashkimi Evropian, sot ka një formë që ndryshon nga ajo e 55 viteve më parë si një strukturë ekonomike, ka evoluar nga 30 viteve më parë kur filluan hapat e parë për bashkimin monetar në Traktatin e Mastrichtit, nuk është e njëjta që prej përpjekjeve të 25 viteve për të institucionalizuar politikën e jashtme dhe sigurisë së përbashkët me Traktatin e Amsterdamit dhe sigurisht ka diferenca nga drejta komunitare sanksionuar në Traktatin e Lisbonës së 13 viteve më parë. Bashkimi Evropian që Zho themeloi me aq shumë pasion ka evoluar dhe ne tani na duhet një tjetër Zho që të ketë një vizion se si mund të jëtë forma e BE-së në dekadat e ardhshme. Ashtu si Zho-ja i parë që me anë të ndërljetësimit midis Ruzvelt dhe Churchill është vlerësuar të ketë shkurtuar Luftën e II botërore me një vit, Zho i lindur në kohërat tona duhet të luftojë me një armik që ne po e quajmë të padukshëm por kaq prezent në të njëjtën kohë. Një armik qe nxorri në pah gjithë egoizmin e individëve dhe shteteve por i tillë që na detyron që për të shpëtuar veten duhet të shpëtojmë edhe tjetrin.