Të dhënat e fundit nga vendet e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, evidentojnë se ka një rritje galopante të numrit të të prekurve dhe të vdekurve.
Italia sot regjistroi 743 të vdekur dhe 5249 të prekur në vetëm 24 orët e fundit. Por po aq dramatike paraqitet situata dhe në Spanjë. Atje sot u regjistruan 489 jetë të humbura dhe 4540 njerëz të infektuar me koronavirus. Kështu Spanja numëron tani 2800 të vdekur dhe afro 40 mijë të prekur.
Sakaq dramatike është situata dhe në SHBA ku ka shkuar në 50 mijë numri i të infektuarve dhe 634 i të vdekurve. Vetëm sot ishin 81 të vdekur e mbi 6200 të prekur ndërkohë që shifrat e saj ditore janë në përditësim edhe në orët në vijim.
Gjermania është duke pasuar dramën spanjolle me afro 33 mijë të prekur dhe 156 të vdekur. Ritmi i pakët i jetëve të humbura këto ditë, ndryshoi sot kur u shënuan 33 jetë të humbura, shifra më e lartë ditore që nga nisja e pandemisë.
Franca nuk po përditëson rregullisht shifrat e saj ndaj të dhënat e deritanishme janë për rreth 20 mijë të prekur, mes tyre 860 të vdekur.
Numër të lartë jetësh të humbura deri sot, regjistrojnë dhe Mbretëria e Bashkuar, 422 dhe Holanda 276.
Ekspertët i druhen shumë dyshimit se ajo që po ndodh në Itali do të shkojë zinxhir dhe në vendet e tjera të BE. E duket se kjo po ndodh, megjithë masat drastike të lëvizjes që kanë ndërmarrë kudo.
Në raportin e orës 19.30 të ditës së sotme 24 mars 2020 evidentohen në të gjithë botën 18295 të vdekur ndër 410465 të prekur. Konfirmohen të shëruar, 107089 njerëz.