“Të dhënat më të bukura!” Me këto fjalë u komunikuan shifrat e të prekurve të 24 orëve të fundit në kryeqendrën e koronavirusit në Itali, në Lombardi.
Për herë të parë shënohet një rënie e shtrimeve, deklaroi Giulio Gallera, i ngarkuari për emergjencën e Covid-19 në këtë rajon.
Ai shpjegoi se në 24 orët e fundit në këtë rajon janë shtruar 9266 persona, teksa dje u komunikuan 9439, thënë ndryshe 173 raste më pak.
Ndërsa të vdekurit në Lombardi janë 3776, ose 320 më shumë raste se dje, por gjithsesi trend në zbritje.
Ndërkohë në Itali gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 602 viktima, duke e bërë edhe më tragjik bilancin e të vdekurve.
Në total numri i viktimave nga koronavirusi në shtetin fqinj ka shkuar në 6078. Ndërkohë të shëruarit e orëve të fundit janë 408, teksa të prekurit e po të njëjtave orë kanë shkuar në 4790.
I ngarkuari për emergjencat civile në Itali, Angelo Borrelli, bëri me dije se numri total i të shëruarve ka arritur në 7432, dhe rastet pozitive në total kanë shkuar 63928.
Prej tyre 26522 ndodhen në izolim shtëpie, 20692 të shtruar dhe 3204 në terapi intensive në gjendje të rëndë.