Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat shpalli pikat e planit financiar për përballimin e pasojave të krijuara nga koronavirusi në vendin tonë.
Duke falenderuar të gjithë qytetarët që kanë ndjekur rregullat dhe duke kërkuar ndjesë për rregullat që ka ndërmarrë për të parandaluar këtë virus, Rama tha se e gjithë bota dhe shtetet më të zhvilluara u kapën të papërgatitur.
Kreu i qeverisë, në një fjalim të fortë, ka paraqitur 7 pikat e planit financiar duke theksuar se do të nisë nga ndihma për më të dobëtit:
Plani ka këto 7 pika:
-25 milionë dollarë do të vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë
-10 miliardë lekë për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve
-6.5 miliardë lekë për shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël
-2 miliardë lekë për operacionin humanitar
-1 miliard lekë për çdo urgjencë të paparashikuar
-Do të fshihen kamatëvonesat për familjet dhe bizneset
-Do të riskedulojmë tatim-fitimin për të gjithë biznesin
Po ashtu Rama ka njoftuar se pagat e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve do të përgjysmohen.
“Kjo është e para luftë ku kazemra e ushtrisë është shtëpia dhe ku çdo ushtar duhet të mbyllet në shtëpi. Si ushtria amerikane dhe ajo shqiptare kanë të njëjtën forcë goditëse…. zero! Një luftë botërore ku secili është për veten dhe Zoti mbetet për të gjithë. Ndajeni mendjen bashkë me mua se në këtë luftë jeni vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin. Nuk do ketë kush të na varrose dhe jo më kush të na qajë .
Pikërisht se jemi më të dobët se ata, vrapuam më shpejt për t’u mbyllur në shtëpi dhe do të vazhdojmë deri kur armiku i egër të shporret nga vendi ynë.
Nuk e di askush se kur do të vijë dita e çlirimit nga ky makth, por e dimë se nuk do vijë as pas dy javësh… vetëm Zoti e di se deri kur, prandaj ju dua shumë dhe ju ndjej si njerëzit e shtëpisë sime, por mos më kërkoni t’ju shes iluzione dhe se kjo do të kalojë pa vuajtje.
Shtrëngoni dhëmbët kur shpirti ju vjen për të dalë. Dhe ndajeni mendjen se kjo luftë s’ka ardhur për t’i dhënë leje të zakonshme askujt… E di që nuk janë këto që doni të dëgjoni dhe ka nga ju që se kuptoni pse nuk duhet të dalin shëtitje me gruan apo me një shok”.
Rama ka shprehur falënderime drejtuar kreut të shtetit Ilir Meta kur tha se edhe ai është angazhuar dhe po bën aq sa ka mundësi.
“Unë doja që qysh në planin A të hiqnin diçka nga vetja dhe nga biznesi i madh, por më bindën se ky mesazh mund të perceptohej si mesazh i gabuar ku do të dilte se shteti s’ka para për pensione e rroga, ndaj nuk do preket asgjë përveç anëtarëve të këshillit të ministrave dhe deputetëve, të cilët do marrin gjysmën e rrogës deri në fund të luftës.
Nuk dua të krijojmë asnjë keqkuptim duke përgjysmuar pagën e Presidentit, që haka e do që ti bëjë një falënderim të madh se po bën sa mundet qysh kur kemi hyrë në këtë luftë, apo paga e drejtuesve të lartë të institucioneve… në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo”. /e.s/