Kryeministri Edi Rama thotë se se qytetarët duhet ta trajtojnë këtë situatë njësoj sikur të jemi në luftë me bomba që bien dhe viktima të shumta.
Në një lidhje për “Top Channel”, Rama tha se qeveria është e përgatitur për të gjitha skenarët e mundshëm. I pyetur se sa do të zgjasë kjo situatë, kreu i qeverisë tha se këtë nuk e dinte askush.
“Për këtë mund të thërrisni në studio politikanë që hedhin fall. Këtë nuk e di askush dhe kjo është pikëpyetja e madhe mbi shpatulla për çdo politikan dhe askush nuk ka një përgjigje për këtë.
Parashikime këtu 300, 700, 1000 unë nuk bëj edhe kur jam mbi shifra. Ne bëjmë kalkulime por nuk bëjmë dot parashikime. Skenari i përballimit është skenari që po zbatojmë çdo ditë me masa shtrënguese. Këto nuk janë masa shtrënguese administrative për të përmirësuar qarkullimin apo për të penguar qarkullimin, këto janë masa shtetërore. Kufizohet lëvizja në maksimum për të ndihmuar sistemin shëndetësor.Ne jemi përgatitur për çdo skenarë. Njerëzit sot nuk kanë nevojë sa shtretër janë, kanë nevojë për informacione zyrtare, të dëgjojnë të vërtetën e dhimbshme. Duhet të mobilizohemi sikur shikojmë bombat, plagët, viktimat edhe pse nuk i shikojmë për të mbledhur mendjen se jemi në luftë. Kemi një armik që përhapet përditë dhe që synon të na ndajë njëherë e përgjithmonë me më të moshuarit dhe ata që kanë më pak imunitet afër nesh”, u shpreh kryeministri Rama. /e.s/