Autoritetet filipinase kanë rritur në maksimum përpjekjet për të mbajtur miliona filipinas në shtëpitë e tyre, pasi autoritetet shëndetësore paralajmëruan se numri i personave të infektuar me koronavirus mund të arrinte në 75 000 për tre muaj nëse nuk zbatoheshin masa të rrepta.
Ndihmëssekretarja filipinase e Shëndetësisë, Maria Rosario Vergeire vuri në dukje se të dhënat globale tregojnë se një person mund të infektojë lehtë dy të tjerë në një bashkëveprim të vetëm, ndërsa theksoi nevojën që publiku të ndjekë një bllokim të imponuar nga qeveria, sidomos në ishullin kryesor, Luzon.
“Kjo do të thotë që brenda dy ose tre muajve, numri i të infektuarve mund të arrijë një kulm prej 75 000 personash”, tha ajo.
“Ne mund të parandalojmë që numri të arrijë në këtë kulm vetëm nëse zbatojmë masa të rrepta siç është distancimi shoqëror”, theksoi Vergeire.
Departamenti i Shëndetësisë raportoi sot 15 raste të reja me Covid-19 dhe tre vdekje duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në vend në 202 dhe numrin e vdekjeve në 17.
”Shtatë nga pacientët janë rikuperuar”, shtoi ajo.
Ishulli Luzon është shtëpia e gati 60 milionë filipinasve, më shumë se gjysma e popullsisë së vendit.
/a.r