Ndërkohë që me kufizimet e reja për shkak të koronavirusit të gjitha vendet europiane kanë marrë masa për t’iu ardhur në ndihmë shtetasve të tyre, Shqipëria nuk ka ende një informacion për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve prej kësaj situate. Koronavirusi ka bllokuar në Spanjë 17 shtetas shqiptarë të rritur e fëmijë.
News24 mëson se shqiptarët nuk mund të kthehen dot pas mbylljes së kufijve nga Spanja, e cila po përballet me një situatë të rënduar nga koronavirusi dhe është vendi i dytë në Europë me numrin më të madh të të prekurve.
Mësohet se shqiptarët e bllokuar janë bashkë me fëmijët dhe kishin shkuar në Spanjë për pushime. Ata kanë kërkuar ndihmë në ambasadën shqiptare në Madrid por nuk kanë marrë një përgjigje pozitive e as garanci.
Shtetasit shqiptarë nuk mund të udhëtojnë në asnjë vend tjetër, pasi Spanja i ka bllokuar kufijtë dhe nuk lejohen lëvizjet. Ata kanë bërë apel për ndihmë nga shteti që të kthehen në atdhe. Në Spanjë janë prekur nga koronavirusi 11,826 persona.
g.kosovari