Nga Mentor Kikia
“Nëse ka njeri, që ka nevojë për ushqime, me pa mundësi ti blejë, për arsye të ndryshme, më thoni, dhe do ti sjellë. Meqenëse jam në këmbë, duhet të jetë në qendër të Tiranës, dhe i lë jashtë derës. Do ruaj konfidencialitetin. (Më co mesazhe në messanger)”.
Kështu ka shkruar Donika Bardha, vajza e një prej shqiptarëve më të çmuar e më të shquar në komunitetit shqiptar në SHBA, Ekrem Bardha.
Më tërhoqi vëmendjen pikërisht “konfidencialiteti”. Kjo grua është gati të bëjë mirësi, por preferon që nevojtari të mos e shikojë dhe njohë. Ose më saktë, ajo të mos e shikojë nevojtarin.
Kjo lloj bamirësie vjen si një antitezë e fortë e bamirësive në Shqipëri, ku bamirësi, pasi dorëzon ushqimet tek nevojtari, i bën foto dhe filmime qeseve para e mbrapa, fotografon shtëpinë, njerëzit me radhë, fëmijët nga koka tek këmbët me qese në dorë, dhe i hedh në fb apo i shfaq edhe në televizor.
Jam përballur mëse njëherë në debate publike lidhur me këtë praktikë. Por po i rikthehem, i gatshëm të përballoj edhe kritika, në emër të mbrotjes së dinjitetit të njeriut.
Jo më larg se dy ditë më parë pashë postimet në një faqe shumë të ndjekur, të imamit Elvis Naçi, një prej njerëzve më aktivë në ndihmën ndaj të varfërve në çdo cep të vendit. Unë mbështes fort çdo njeri që dhuron nga pasuria e tij për atë që nuk ka, çdo njeri që punon për të sensibilizuar të tjerët që kanë, për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Këtu nuk ka asnjë hapësire për diskutime të mëtejshme.
Por unë nuk jam dakord, që njerëzit e varfër të mbështeten pas murit, si dikur ata që ndalonte policia rrugëve, dhe të filmohen e fotografohen me “trofetë” e bamirësisë në duar. Aq më shumë kur këta janë fëmijë.
Publikimi i aktivitet i shërben sensibilizimit, por publikimi i fotove të fëmijëve është denigrim, përbuzje, ç’nderim. Fëmijës i lihet një qese në dorë e filmohet për ta hedhur në publik, për të marrë pastaj falenderimet e botës.
Çfarë vlere ka për bamirësinë si akt nxerrja e fotos së këtij fëmije të sëmurë, teksa i ati, i gatshëm të bëjë gjithëçka për një torbë ushqime, përpiqet ti ngrejë dorën e paralizuar që të përshëndesë bamirësin? A është vërtet kaq i etur bamirësi, edhe për përshëndetjen publike të këtij fëmije me probleme?
I ripublikova këto foto, duke shformuar imazhin e fytyrës, për të treguar se duhet ta respektojnë dinjitetin njerëzor, pavarësisht gjendjes ekonomike.
Bamirësia është një akt sublim, është maja e qytetarisë që tregon një njeri, është shkalla superiore e edukimit të njeriut. Por ndoshta etja për lavdi po na e err ndërgjegjen e nuk marrim parasysh asgjë, duke tentuar të fitojmë kult edhe mbi fatkeqësinë e të tjerëve?
P.S: Nëse ndjekësit e imamit do ta kundërshojnë mendimin tim, me argumenta fetarë, të mos lodhen kot, pasi besimin fetar nuk e shikoj fare kur vlerësoj punën e një njeriu.