Ambasada italiane në Tiranë ka një njoftim të rëndësishëm për të gjithë shtetasit e shtetit fqinj të cilët ndodhen në Shqipëri.
Në një njoftim publik bëhet me dije se që nga java e kaluar ambasada italiane në Tiranë ka organizuar fluturime tregtare të posaçme për kthimin në Itali të qytetareve italianë që kanë kërkuar këtë formë asistence pas mbylljes totale të të gjitha udhëtimeve të pasagjerëve nga Shqipëria.
Për këtë qëllim, është aktivizuar adresa mail e posaçme ti***************@es****.it. Të mërkurën më 11 mars është kryer fluturimi i parë me kompaninë Blue Panorama që ka bërë të mundur kthimin në Itali të 133 pasagjerëve; të enjten në 12 mars një fluturim i dytë i kompanisë Albawings me 138 qytetarë italiane. Sot në mëngjes u nis fluturimi i tretë Albawings që transportoi në Itali 166 persona ndër të cilët 5 qytetarë italiane të mbetur të bllokuar në Mal të Zi, të cilët mbërritën në Shqipëri dje në darkë falë bashkëpunimit me ambasadën italiane në Podgoricë.
Këto veprime janë kryer me mbështetjen e linjave ajrore, në koordinim të plotë me institucionet dhe autoritetet kompetente shqiptare, duke filluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme dhe Autoriteti Shqiptar i Aviacionit Civil. Ambasada italiane ka vepruar në koordinim të plotë me Njësinë e Krizave si dhe me strukturat e tjera kompetente të Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në përputhje me masat paraprake të marra nga Ministritë kompetente italiane dhe shqiptare të shëndetësisë.
“Me kufizimin e masave të udhëtimit të pasagjereve të vendosura nga Qeveria shqiptare, Ambasada ka konsideruar si përparësi garantimin e një mënyre për t’u kthyer në Itali të shumë bashkatdhetarëve që kanë bërë këtë kërkesë”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Fabrizio Bucci.
/a.r