Një armatë e vërtetë inspektorësh kanë dalë në terren, për të monitoruar situatën lidhur me të gjithë institucionet e bizneset, të cilat duket se po shkelin ligjin pas urdhërit të Ramës për shtetrrethim të Shqipërisë.
Lidhur me zbatimin e këtyre kërkesave, ka folur gjatë mesditës së sotme Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, në studion e emisionit “Top Talk” në Top Channel.
Përpjekjet për të mbajtur situatën në kontroll, ka shtuar edhe forcën e inspektorëve, të cilët po monitorojnë punën e biznesve, call certer-ave, fasonerive, farmacive etj, për ndonjë shkelje të mundshme.
Hajdari tha se gjatë tre ditëve të fundit, Inspektorati Shëndetësor i cili është partner profesional për të gjitha palët e përfshira në sektorin shëndetësor dhe Inspektorati i Punës kanë qenë në terren.
Po kështu konfirmoi se dje paradite janë mbyllur në zbatim të Urdhrit të Shëndetësisë të gjitha lokalet, lojërat e fatit. Inspektorati i Punës ka kontrolluar disa fasoneri dhe call center-a dhe i ka pezulluar, e po kështu i ka vendosur shiritin.
Ai shtoi ndër të tjera se deri ditën e djelë, këto biznese nuk do të qëndrojnë të hapura. “Ka një vendim përveç furrave të bukës dhe farmacive”, tha më tej Inspektori i Përgjithshëm.
I pyetur se çfarë do të ndodhë pas ditës së dielë, pasi njerëzit ende nuk kanë një informacion sesi do të procedohej më tej, Shkëlqim Hajdari tha se “ndërmarrjet që kanë të bëjnë me zinxhirin udhqimor dhe farmacitë, do të jenë të hapura.
Puna më e rendë do të jetë për Inspektoratin e Barnave dhe Punës. Se them për të bërë presion, por do mbledh drejtuesit e Dhomave të Biznesit të hënën, për ato ndërmarrje që do jenë të hapura. Ku do konstatohen për masat e sigurisë, pastërtia, largësia. Në farmaci duhet të respektojnë largësinë, me maska e doreza. Që ne të mos bëhemi burim infeksioni. Në Kodin Penal dënohet deri në 10 vjet burg. Nëse konstatojmë mos marrjen e masave, nuk rezultojmë mbylljen e biznesit, drejtuesit do shkojë drejt ndjekjes penale”.
Teksa foli për sensibilizim nga të gjithë drejtuesit, ai u shpreh se s’ka nevojë për panik, por duhet qetësi. “Janë çështje standarte. Inspektorati është shtrirë në të gjithë Republikën e Shqipërisë. 5 Inspektoriate janë më shumë në punë. Së shpejti edhe ajo e Barnave, për të kontroluar në të gjitha farmacitë, për të zbatuar rregullat”.
Gjatë ditëve të fundit, qytetarët janë përballur edhe me manipulimin e çmimeve, duke nisur nga fruta-perimet. Shkëlqim Hajdari deklaroi se janë marrë masat edhe në këtë drejtim: “Mendoj se kjo nuk do mbesë në dorën e solidaritetit njerëzor. Ligjet janë në fuqi, të çojnë deri në heqjen e licencës. Nesër të mos i dalë më keq se çfarë kanë menduar. Kur rrisin çmimet, do humbin biznesin për tërë jetën e tyre!
Ne kemi një trupë të madhe inspektorësh, femrat dhe punonjësit në moshë të thyer do punojnë në shtëpi. 600-700 inspektorë do të monitorojnë edhe rritjen e çmimeve. Nga e hëna inspektorët do të mbyllin bizneset dhe do t’i çojnë para ligjit”.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 33 të prekur. Një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit, dhe vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier.
Mes të infektuarve është dhe një mjek, i cili i kishte shërbyer të moshuarës që ndërroi jetë në Durrës. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht. Shumë qytete janë në shtet-rrethim, dhe është ndaluar lëvizja e makinave private. /e.s/