E premte, 13 mars 2020. Nuk më kishte ndodhur që të dëgjoja ndonjë cicërim zogu në lagjen time në Tiranë. Sot, hera e parë.
Zhurma i mbyste edhe ata pak zogj që mund të vinin vërdallë.
Dalë nga shtëpia me dëshirën për të parë çfarë bëhet! Aroma e klorit ndihet në korridorin e pallatit. As kjo nuk më kishte ndodhur këto kohë!
Qetësi. E vetmja që e thyen pak heshtjen është kënga popullore që roja i pallatit ka vendosur në kasetofonin e tij. Po dëgjonte “poshtë nga çairet”. Përmetar, me siguri!
Rrugët janë bosh. Ndonjë makinë policie tek-tuk, makina që furnizojnë dyqanet ushqimore dhe shumë njerëz me biçikletë.
Sot po që Tirana është qytet biçikletash.
Dielli shkëlqen dhe ngroh. Është më shumë se sa një ditë pranvere. Në rrugë ka njerëz që shëtisin. Nuk ka kafene të hapura. Pjesa më e madhe e tyre bëjnë ecje.
Në rrugën e “Kosovarëve”, një furrë buke shërbente edhe kafe të cilën mund ta merrje me vete.
Njerëzit presin jashtë, në radhë, për të marrë “kafeinën” e përditshme. Nuk e kisha parë asnjëherë këtë pamje në këtë qytet.
Pasi marrin kafen në dorë, largohen duke vazhduar shëtitjen e tyre në drejtim të Kodrave të Liqenit.(Nuk e di se sa e lejueshme është kjo shëtitje kur të gjithëve na kërkohet të qëndrojmë në shtëpi!)
Flasin me zë të ulët dhe duken të qetë. Ka nga ata që japin këshilla në telefon… ato që i kemi dëgjuar shpesh këto ditë, por ka dhe të tjerë që shprehen “ç’të ketë shkruar Zoti”.
Teksa vëzhgon në heshtje këtë pamje, ke një përzierje ndjenjash; sikur Tirana të ishte kështu gjithmonë, do të ishte një qytet më i jetueshëm. Më me pak ndotje, më me pak zhurma, më i pastër, më i kulturuar, më pak i stresuar.
Ndoshta, virusi do të na mësojë disa rregulla të reja që vështirë do e kishim t’i vendosnim në kushte normale. U dashka një gjë e jashtëzakonshme, për t’u mësuar me disa sjellje të zakonshme.
Tirana sot edhe të gëzonte edhe të bënte për të qarë! Sikur të mos ishte virusi rreth e rrotull, me siguri e donim më shumë kështu!
Këto pamje që do të shihni në foto janë nga kjo e premte e marsit, ku virusi ka pushtuar botën, por edhe vendin tonë. Qëndroni në shtëpi!/ Dita- Entela Resuli
g.kosovari