Në kushtet kur vendi ynë është përfshirë në betejën botërore ndaj koronavirusit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë masat strikte të kufizimit të lëvizjes dhe të higjienës personale.
Përmes një videomesazhi nga zyra e tij, kryebashkiaku thotë se ky është momenti kur të gjithë duhet të bëhemi bashkë përballë kësaj sfide sepse ky virus kërcënon me shumë se sa tërmeti.
“Asnjë nga këto masa nuk funksionon pa ndihmën tënde. Kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë, por duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë. Kryeministri po bën të vetën, qeveria te vetën, unë do bëj timen, e duhet që edhe ti të bësh tënden”, shprehet Veliaj.
Kreu i Bashkisë shton se duke qëndruar në shtëpi e duke reduktuar numrin e njerëzve të sëmurë në një moment të caktuar, është mënyra më e mirë për të mos kolapsuar spitalet.
“Prioriteti më i madh në këto javë është të ruajmë qytetarët e rrezikuar më shumë dhe sistemin spitalor, i cili do punojë për trajtimin e tyre. Mos e merrni lehtë, kjo është një sëmundje e rrezikshme! Shumica e të infektuarve e kalojnë këtë sëmundje, por ajo është ekstremisht e rrezikshme për të moshuarit apo ata me probleme kronike me shëndetin. Nëse nuk jeni një prej tyre, jam i sigurt që doni fort njërin prej tyre, që mund të jetë prindi apo gjyshi juaj – ndaj, të gjithë kemi një interes madhor në këtë betejë. Edhe nëse jeni i ri apo e re dhe me risk të vogël, mund të jeni bartës për te gjyshi a prindi në moshë, të cilët i rrezikoni seriozisht”, nënvizon ai, teksa sqaron se Bashkia e Tiranës do të vijojë të përdorë transport të veçantë për personelin mjekësor.
g.kosovari