Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka qetësuar në lidhje me mënyrat se si mund të transmetohet koronavirusi.
Minimumi i kohës për tu transmetuar virusi Covid-19 që është përhapur në të gjithë botën, është 15 minuta nëse ka takim më afër se një metër. Ndër të tjera tregoi se infektimi nuk bëhet nëpërmjet ajrit, por vetëm nëpërmjet spërklave apo kollitjes.
‘Ky virus nuk transmetohet përmes ajrit, ky shpërndahet përmes spërklave. Deri tani është dëshmuar kjo që u them unë, është virus me peshë të madhe molekulare dhe nuk është vërtetuar se shpërndahet përmes ajrit, por përmes spërklave. Nëse ne mbajmë një distancë mbi një metër dhe nuk ekspozohemi gjatë. Mos harrojmë që ekspozimi duhet të jetë minimumi 15 minuta që të infektohesh. Jo e përshëndete dhe u infektove. Por, kjo nuk do të thotë që të rrimë 14 minuta e të ikim, duhet të rrimë sa më pak. Sa më pak takime, sa më pak lëvizje. Nëse i lan duart 5 minuta pas takimit, jeni 100% të mbrojtur.
Dezifektantët nuk mbrojnë, por duhet ti lani duart për 20 sekonda me ujë dhe sapun. Nëse gjatë kësaj kohe do të keni një kontakt me hundën, sytë apo pjesë të tjera të fytyrës, mund të infektoheni’, tha Pipero në emisionin ‘Opinion’.
Mjeku theksoi se virusi nuk transmetohet nëpërmjet ushqimit, por është e rëndësishme që të lahen duart para gatimit, para ngrënies dhe pas ngrënies së ushqimit.
Deri tani, numri i të infektuarve në Shqipëri ka arritur në 23 dhe ka vetëm një viktimë, një grua 73-vjeçare.
/a.r