“Varri i artistit të madh Kolë Idromeno e ka humbur identitetin e mëparshëm. Restaurimi i tij duhej të bëhej sipas teknikave, por nuk është bërë i tillë. Është punuar shpejt, për ta kryer shpejt dhe, siç bën shpeshherë, Ministria e Kulturës, që gjithçka di dhe gjithçka bën pa pyetur specialistët, ka dhënë një tender, ndërsa ka bërë një katrahurë në këtë varr”. Kështu ka deklaruar dje Ervin Gjini, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Shkodër.
Vetëm dy ditë më parë, Milena Selimi, këshilltare e ministres Mirela Kumbaro, deklaroi për “Gazeta Shqiptare” se varri i Idromenos ka qenë i dëmtuar dhe se projekti i restaurimit ka pasur parasysh konservimin e gjendjes ekzistuese, plotësimin e ornamentikës së dëmtuar, riparimin dhe konsolidimin e suvasë dhe rivendosjen e fotove. Po sipas këshilltares Selimi, projekti për restaurimin e varrit të Kolë Idromenos është në proces.
Prej disa muajsh, Ministria e Arsimit ka nisur punën për restaurimin e varrezave katolike të Rrmajit (monument kulture), ku ndodhen varri i Kolë Idromenos e ai i familjes Marubi. Punimet e kryera në këtë varrezë, dhe konkretisht në varrin e Idromenos, janë kontestuar nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, që e cilësoi restaurimin në fjalë si skandal. Ndërkaq, dje ka reaguar dhe ish-kreu i Drejtorisë Rajonale së Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini. Sipas tij, janë ndryshuar shumë detaje të varrit origjinal të Idromenos.
“Po ta shikojmë me vëmendje, ky varr është tjetërsuar si pasojë e ndërhyrjeve për restaurim. Do të ishte një skandal nëse për këtë monument do të ishte përdorur material allçi, por fatmirësisht është përdorur lëndë më cilësore, siç është fino. Megjithatë, nuk ishte ide e mirë as të përdorje fino, sepse maskon të gjitha detajet e këtij monumenti”, – tha Gjini. Më tej ai u shpreh se varri ka qenë i derdhur në beton dhe çdo restaurim duhej të bëhej që të kishte impakt minimal.
BW