Dy persona u vunë në prangat e policisë së Durrësit, të kapur me drogë dhe municion luftarakë.
Në bazë të një hetimi dymujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, uniformat blu organizuan dhe finalizuan pasditen e së mërkurës operacionin policor të koduar “Shkozeti”, në kuadër të të cilit arrestuan në flagrancë Sh. H., 34 vjeç dhe E. H., 22 vjeç, banues në Durrës, të dy të dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur, shtetasi I. H., banues në Durrës.
Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të ushtruar në një magazinë në pronësi të E. H., dhe Sh. H., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me marijuanë, 425 fishekë luftarak, një peshore elektronike, dy palë targa, si dhe 4 aparate celular të markave të ndryshme.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajta pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
/a.r