Analisti Mustafa Nano thotë se opinioni i Komisionit të Venecias duhet lexuar me kujdes dhe i duhet dhënë rëndësi, në kushtet ku institucionet e vendit nuk kanë besueshmëri.
Në një bisedë në studion e lajmeve në TemA TV lidhur me draft-opinionin e Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe përplasjen që pasoi mes maxhorancës dhe kreut të shtetit, Nano tha se dokumenti paraprak konfirmon shqetësimet e ngritura nga Presidenti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
“Në këtë studio kam shprehur rezervat e mia dhe të të tjerëve jashtë kësaj studioje, lidhur me rezervat e mia për KED. Më vjen mirë që Komisioni i Venecias konfirmoi pikërisht këtë gjë.
Është rasti për ta thënë njëherë e mirë. Komisionit të Venecias i duhet vënë veshi mirë, sidomos ku besueshmëria e insitucioneve është minimale dhe kur institucione që bëjnë rolin e arbitrit, si Gjykata Kushtetuese, nuk ekzistojnë fare”, tha ai.
Megjithatë, Nano është i rezervuar kur është fjala për ta cilësuar “puç institucional” sjelljen e KED-së.
“Sa herë që presidenti apo dikush tjetër ka folur për puç, them se ky është një term që nuk shkon me situatën. Si duhet të sillemi me hamendjen se KED-ja nuk po vepron në përputhje me Kushtetutën, këtë nuk mund ta them. KED është ngritur në rrethanat kur institucione si Gjykata e Lartë nuk kishin anëtarë”, tha ai.
I pyetur nëse kreu i KED-së, Ardian Dvorani, duhet të qëndrojë në detyrë, pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias, Nano u shpreh se shkeljet e tij duhet evidentohen në nivel institucional.
“Duhet një institucion që të bëjë një listë shkeljesh. Dihet që shqetësimi i Metës është i drejtë. Dihen edhe listat e çuara në presidencë, por ka dyshime se ato janë bërë për ta vënë presidentin para një fakti të kryer”, tha ai.
Nano e sheh si të domosdoshëm rolin e partnerëve në zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.
“Kërkesa e Ambasadës amerikane është normale dhe e arsyeshme. Për rapotin duhet folur kur të bëhet raporti. Qëndrimet që mbajnë këto struktura apo partnerët të huaj, sidomos kur janë bërë pjesë e strukturës, si ONM, ne duhet t’i pranojmë opinionet e tyre dhe nuk duhet t’i vënë në diskutim. Çdo gjë e keqe që ndodh në këtë vend nuk ndodh prej të huajve”, tha ai.
Nano i bën thirrje maxhorancës të tërhiqet nga nisma për shkarkimin e kreut të shtetit, pavarësisht se ai, sipas Nanos, nuk ka mbajtur rolin e tij, mbi palët politike.
“Presidenti Meta nuk ka qenë kurrë mbi palët dhe kjo është e qartë. Komisioni i Venecias thotë që vendimi për ta shkarkuar është shumë i rëndësishëm, pa precedent dhe nuk do ta sugjeronim të ndërmerrej.
Vendimi i maxhorancës është një vendim emocional, i gabuar dhe maxhoranca duhet të kthehet mbrapsht, pavarësisht se presidenti ka bërë shumë gabime dhe vetëm mbi palët nuk ka qenë ndonjëherë”, tha ai.