Mijëra migrantë, shumica e tyre nga Siria, Afganistani, Pakistani dhe Irani janë “vërshuar” drejt kufirit që ndanë Turqinë dhe Greqinë, pasi qeveria turke njoftoi më 28 shkurt se nuk do t’i ndalonte më migrantët të kalonin në Evropë.
Migrantët e bllokuar në kufi, ndajnë me botën rrëfimet e tyre, kryesisht kushtet e vështira që ata po kalojnë, si dhe përjetimet e tyre të këqija me rojet e dhunshme kufitare greke.
Disa prej migrantëve të bllokuar në vendkalimin kufitar në Pazarkule, kanë publikuar në rrjete sociale përpjekjet e tyre për të kaluar lumin Meriç, i cili ndan Greqinë dhe Turqinë.
Pamjet e tyre shfaqin burra të rinj dhe familje me fëmijë që jetojnë në kushte të vështira afër fushave.
Disa migrantë që u përpoqën të kalonin kufirin në këtë vend thanë për France24 se shumë njerëz po flinin nën qese plastike, ndërsa zjarri po i mbanë të ngrohtë ata.
Rrëfime nga migrantët
“Djegim dru çdo natë për t’u ngrohur”
Sasan (një emër ky i ndryshuar) është një 32-vjeçar nga Irani që jeton në Turqi në katër vitet e fundit.
Ai po studionte për t’u bërë një mjeshtër në Kayseri, qytet ky rreth 1,000 kilometra larg Pazarkule, kur vendosi të udhëtojë për në Evropë.
Ai dëshironte të mbetej anonim nga frika se të folurit në media mund të rrezikonte statusin e tij të emigracionit në Turqi.
“Kur qeveria turke njoftoi se do të hapnin kufijtë, unë nuk hezitova. Jetoja në Kayseri me familjen dhe disa miq. Vendosem të merrnim një minibus dhe të niseshim drejt Evropës”, ka thënë ai.
“Tendat i morëm me vete, mbledhim dru për të ndezur zjarr çdo natë. Qeveria turke shpërndan ushqim, mirëpo nuk na mjafton, ndërsa na duhet të radhitemi me orë të tëra për të marrë ndonjë gjë. Kështu ne bëjmë udhëtime në qytetet dhe fshatrat fqinje për të marrë furnizime”, ka shtuar ai.
“Fëmijët qajnë gjatë gjithë kohës”
Me origjinë nga Afganistani, Muhittin, 21 vjeç kaloi tri ditë në Pazarkule duke u përpjekur të kalonte kufirin, ndërsa hoqi dorë dhe iu kthye punës si kamarier në një shisha bar në Stamboll.
“Erdha në Turqi vetëm pasi mbarova shkollën e mesme. Ëndrra ime është të arrij në Evropë, idealisht në Francë apo Gjermani. Kur arrita në Pazarkule, nuk kisha asgjë, madje as një tendë, kështu që më duhej të flija në tokë. Mbulohesha sa më mirë që mundja me një pëlhurë plastike, por kisha ftohtë natën”, ka thënë Muhittin.
“Në atë kohë, ushtarët turq po shpërndanin ushqim dy herë në ditë, por nuk ishte shumë. Një pako me biskota dhe një shishe me ujë për person dhe nuk kishte asnjëherë të mjaftueshme për të gjithë”, ka shtuar ai.
Autoritetet greke njoftuan më 5 mars se kishin ndaluar 35,000 njerëz të hynin në territor në vetëm pesë ditë.
“Në atë kohë, ushtarët turq po shpërndanin ushqim dy herë në ditë, por nuk ishte shumë. Një pako me biskota dhe një shishe me ujë për person dhe nuk kishte asnjëherë të mjaftueshme për të gjithë”, ka shtuar ai.
Autoritetet greke njoftuan më 5 mars se kishin ndaluar 35,000 njerëz të hynin në territor në vetëm pesë ditë.
Raportet nga mediat kryesore që mbulojnë kufirin, si dhe videot e filmuara nga vetë migrantët tregojnë rojet kufitare greke duke përdorur sasi të mëdha të gazit lotsjellës për të shtyrë migrantët që përpiqeshin të kalonin nëpër rrethoja kufitare.
“Policia Greke arrestoi dhe kontrolloi me forcë një familje afgane”
Të gjithë migrantët që folën për France24, treguan se ishin dëshmitarë të dhunës, të kryer nga rojet kufitare greke.
Dhuna është ajo që e bëri Muhittin të vendosë të heqë dorë dhe të kthehet në Stamboll.
“Jam munduar ta kaloj lumin me anije dy herë. Mirëpo kur arritëm në anën tjetër, pamë rreth 30 oficerë policie që na prisnin. Unë isha në një grup me fëmijë, kështu që vendosëm të kthehemi mbrapa. Po mendoja edhe për tregimet që miqtë e mi më kishin thënë për arrestimin pasi bëra kryqëzimin”, ka thënë Muhittin.
“Veçanërisht po mendoja për një familje afgane që njoh. Ata shitën gjithçka që ata zotëronin në Stamboll. Ata u arrestuan dhe u kontrolluan nga policia greke. Ata më thanë që policia iu mori 7,000 eurot që kishin në para, si dhe rrobat e burrave dhe celularët e tyre. Policia përfundimisht i dërgoi përsëri në Turqi, u dha atyre 300 euro dhe u tha të mos ktheheshin. Ata gjithashtu u kthyen në Stamboll, por atyre nuk u mbetet asgjë dhe u duhej të flinin në rrugë”, është shprehur ai.
Historitë e tyre u vërtetuan nga disa gazetarë që raportuan nga Pazarkule.
Belal Khaled, një gazetar në kanalin televiziv turk TRT, mori fotografi të disa migrantëve që ishin kthyer përsëri në Turqi, të veshur vetëm me të brendshme.
Disa prej tyre kishin shenja nëpër shpinë, ku ishin goditur, raporton France24.
Fotografitë dhe videot e tjera të filmuara nga migrantët, që treguan lëndime të ngjashme kanë qarkulluar edhe në mediat sociale.
Konflikti mes dy palëve
Greqia dhe Turqia kanë realizuar një “luftë të ashpër” për atë që po ndodh në kufi, me të dy palët duke akuzuar tjetrën për kryerjen e abuzimeve dhe shkëmbimin e informacionit të rremë.
Turqia ka akuzuar rojet kufitare greke për vrasjen e migrantëve, përfshirë atë që u qëllua gjatë përleshjeve në kufi, gjë që Greqia e ka mohuar këtë dhe e ka quajtur “lajm të rremë”.
Nga ana tjetër, autoritetet greke kanë akuzuar forcat turke për vendosjen e bombave të tymit dhe gazit lotsjellës në anën greke të kufirit dhe duke u dhënë prerëse të telave migrantëve për të prerë gardhet e ngritura për t’i lejuar që të kaluar kufirin.
Disa migrantë kanë raportuar për France24 se kishin parë njerëz me plagë me armë zjarri, megjithëse nuk ishin të sigurt se si i kishin pësuar këto lëndime.
Ata gjithashtu shfaqnin video që tregonin të dëmtuarit.
“Jam përballur me racizëm në Turqi”
Të gjithë migrantët që treguan për France24, thanë që po largoheshin nga Turqia për në Evropë me shpresën për një jetë më të mirë, dhe mundësi më të mira pune.
Muhittin thotë se migrantëve afganë shpesh u jepen rroga të këqija në Turqi, që sipas tij është për shkak të racizmit.
“Ne jemi të diskriminuar edhe për sa i përket pagave. Afganët që punojnë në fabrika ose në vendet e ndërtimit shpesh pritet të punojnë në 13 ose 14 orë në ditë për një pagë mujore prej 180 euro. Minimumi për punëtorët turq është 350 euro, me nëntë ose dhjetë orë”, ka thënë Muhittin.
Sasan tha se kishte edhe arsye të tjera pse dëshironte të largohej.
“Jam përballur me racizëm këtu. Unë po qëndroj në Pazarkule dhe po përpiqem të vazhdoj pavarësisht kushteve sepse nëse kthehemi në Turqi, kjo do të jetë edhe më e vështirë me klimën e re politike. Të drejtat janë gërryer dhe intervistat me zyrtarët e imigracionit po bëhen gjithnjë e më të vështira. Zgjedhja ime e vetme është të kaloj në Evropë. Turqit nuk na duan dhe unë jam një refugjat politik iranian, madje do të rrezikoj burgun nëse kthehem në vendin tim”, ka thënë Sasan, shkruan “Telegrafi”. /e.s/