Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur sot turin e prezantimit të buxhetit të ri me pjesëmarrjen e komunitetit, procesi i cili u jep mundësi qytetarëve të jenë pjesë e vendimmarrjes për investimet që do të bëhen. Gjatë takimit të zhvilluar sot në Njësinë 7, për të vijuar më pas në të gjitha njësitë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se “duam të marrim bekimin tuaj nëse ky është buxheti që duam. Më mirë i marrim bashkë këto vendime, pastaj edhe suksesin e ndajmë bashkë, se sa disa burokratë që i marrin këto vendime pa lidhje me realitetin”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës për të ditur se situata e trashëguar në bashki ka qenë e mbushur me detyrime ndaj atyre që nuk janë paguar për punët e kryera. “Kompanitë e pastrimit nuk janë paguar për shërbimet që janë ofruar për vitin 2014 dhe 2015. Vetëm detyrimet e prapambetura janë sa 35% e buxhetit total të pastrimit. Bashkia nuk ka paguar faturën e dritave për të gjithë vitin. Nuk është paguar prej 2-3 vjetësh asnjë nga nismat e premtuara. Do të rikthejmë bonusin e bebeve dhe bursën për nxënësit e ekselencës”, tha Veliaj.
Më tej, Veliaj prezantoi projektet strategjike të Bashkisë së Tiranës. Krahas projektit të rigjenerimit urban i “Pazarit të Ri” dhe Sheshit “Avni Rustemi” një tjetër projekt është Parku Qendror i Tiranës. “Ne kemi vendosur që në zonën e bulevardit të ri, në mesin e saj, të kemi një park qendror. Këtu nuk bëhet për të devijuar projektin, por për t’iu kthyer projektit tonë origjinal sepse Tirana nuk mund të zgjerohet vetëm me pallate”, tha Veliaj. Një projekt i rëndësishëm do të jetë dhe ndërtimi i Unazës së Vogël të Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj se përmes një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Rajoneve do të parashikohet një rrugë me tre korsi për makina dhe rrugë për biçikleta.
Nga ana tjetër, ai solli në vëmendje se çdo vit në Tiranë 500 njerëz humbasin jetën vetëm nga ndotja e ajrit në Tiranë. “Në vetëm dy ditë që provuam Tiranën pa makinë ra niveli poshtë normave të lejuara të Bashkimit Europian. Pas Unazës së Vogël do të vazhdojmë me projektin e rikonstruksionit të Sheshit Skënderbej. Të gjitha fondet nuk prekin buxhetin e Bashkisë së Tiranës, janë marrë nga projektet që u fituan nga aplikimi në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve”, tha Veliaj.
Për Njësinë Administrative nr. 7 buxheti i Bashkisë së Tiranës parashikon rehabilitimin e Rrugëve “Nikolla Lena”, “Adem S.Kruja” dhe “Sulejman Pitarka”, rrethimin e ambientit të shkollës “Sabaudin Gabrani” e Re, rehabilitimin e lulishtes në Blv. Gjergj Fishta dhe rehabilitimin e lulishtes në krah të Policisë Bashkiake dhe ndërtimin e një ambienti për qytetarët. Gjithashtu ky buxhet parashikon rehabilitimin e 7 shkollave, 4 kopshteve dhe 5 çerdheve të kësaj njësie si dhe sigurimi i ngrohjes për stinën e dimrit. Një tjetër angazhim i Bashkisë së Tiranës është ndriçimi i rrugëve të Njësisë Administrative Nr.7, në masën 70%, mirëmbajtja e rrugëve dhe plotësimi i zgarave e pusetave në masën 90% dhe gjelbërimi i rrugëve, vendosja e koshave, rehabilitimi i hapësirave publike.