Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i është përgjigjur apelit të presidentit Ilir Meta për të shtuar masat parandaluese ndaj koronavirusit, e cila bën me dije se një vendim i tillë do të merret nga ekspertët, duke lënë të nënkuptuar se nuk i takon drejtpërdrejtë qeverisë.
Pas vendimit të hyrë sot në fuqi në Itali, për izolimin total të zonave të kuqe, Manastirliu ka mbledhur ekspertët e komitetit teknik, mbledhje nga e cila nuk është marrë një vendim konkret, por mbetet në nivel diskutimesh.
Për të qetësuar shqiptarët, nisur nga fakti që në shtet fqinje ka pasur të infektuar, në Itali edhe viktima mbi 360, ajo ka theksuar se Shqipëria nuk është prekur nga koronavirusi.
“Po diskutojmë në këto momente me ekspertët e komitetit teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe. Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga ekspertët. Deri në këto momente, nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në vendin tonë”, bën me dije Manastirliu.